×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Gjykata e Romës vendos sot për 7 emigrantët e dërguar në Shqipëri

    Reporteri
    11 Nëntor 2024 | 10:03

    Gjashtë gjyqtarë të seksionit të imigracionit të gjykatës së Romës sot do të vendosin për ligjshmërinë e urdhrave të ndalimit të shtatë emigrantëve të cilët janë dërguar në qendrën e pritjes në Shëngjin.

    Ky shqyrtim vjen pas një vendimi të mëparshëm të gjykatës që anuloi mbajtjen e 12 emigrantëve në kampet e ndërtuara në Shqipëri.

    Pas vendimit të gjykatës emigrantët u transferuan në një qendër pritjeje në Bari, duke u bazuar në të drejtën evropiane. Pas këtij vendimi, qeveria italiane nxori një dekret ligjor që rishikonte listën e vendeve të konsideruara të sigurta për riatdhesim, raporton Euronews.al.

    Ditë më parë, shtatë azilkërkues të rinj, tre nga Egjipti dhe pesë nga Bangladeshi, u transferuan në Shqipëri në kuadër të një procedure përshpejtuese. Njëri prej tyre u rikthye në Itali për shkak të problemeve shëndetësore të konstatuara pas kontrollit mjekësor.

    Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, mbështet fuqishëm operacionin dhe ka deklaruar se qeveria italiane do të apelojë vendimet e gjykatës. “Ne jemi të bindur se gjithçka është në përputhje me ligjin evropian,” u shpreh Piantedosi.

    Në terren ndodhet edhe një delegacion parlamentar nga Partia Demokratike dhe Lëvizja 5 Yjet, si dhe përfaqësues të shoqatave të Tryezës së Azilit dhe Emigracionit. Ata po monitorojnë kushtet e qendrave, duke përfshirë hapësirat e banimit dhe tualetet, për të siguruar respektimin e procedurave ligjore dhe ndërkombëtare. Përfaqësuesit e delegacionit e kanë cilësuar qendrën si një “burg në ajër të hapur,” duke shprehur shqetësime të thella për kushtet e emigrantëve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!