×
  • Lajme
  • Lajme / Kuvendi

    Murati për qeverisjet e kaluara: Fabrikat riprodhuese i shitën për skrap, dëmi i tyre s’mund të rikuperohet brenda një mandati

    Reporteri
    11 Nëntor 2024 | 12:18

    “Diçka që është shkatërruar për 20 vite, s’mund të rikuperohet brenda një mandati”, deklaroi Ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë fjalës së tij në seancën plenare që po mbahet me vetëm një pikë në rend dite.

    Kjo deklaratë e Muratit erdhi derisa ishte duke komentuar rritjen e të hyrave buxhetore, për të cilat tha se në qeverisjen Kurti, për katër vite me radhë, ka pasur rritje dyshifrore të të hyrave buxhetore.

    Me ç’rast, akuzoi qeveritë paraprake, se gjatë mandateve të tyre, vetëm në dy raste është shënuar rritje dyshifrore, raporton gazeta online Reporteri.net.

    “Normalisht që merr kohë derisa të rindërtohet kapaciteti prodhues. Dicka që është shkatërruer për 20 vite vite, s’mund të rikuperohet brenda një mandate. Thatë që s’ka pasur rritje të të hyrave, sepse rritja e buxhetit të të hyrave ka ndodhur për cdo vit me radhë. Në qeverisjen tonë për katër vite me radhë, ka rritje dyshifrore të të hyrave buxhetore. Nëse e shikojmë të gjithë dekadën kur keni qeverisur ju, janë vetëm dy vite ku rritja e të hyrave buxhetore ka shënuar rritje dyshifrore. Ka qenë viti 2011 dhe viti 2016. Jemi qeveria e vetme ku katër vite radhazi kemi rritje dyshifrore të të hyrave tatimore”, deklaroi Murati para deputetëve.

    Madje, Murati iu kundërpërgjigj edhe deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtakut, sa i përket çështjes së importit dhe eksportit, duke i thënë se synim i Qeverisë është ulja e importit, mirëpo sipas tij, s’mund të ketë ulje në një ekonomi “të trashëguar ku të gjitha fabrikat i kanë shitur për skrap”.

    “A është synim i qeverisë të ulet importi? Patjetër që po. Kemi bërë mbështetje, masa përmes ministrive duke mbështetur në certifikim e pjesëmarrje në panaire. Nuk mund të ulet importi në një ekonomi të trashëguar ku të gjitha fabrikat i keni shitur për skrap. Merr kohë derisa të rindërtohet kapaciteti. Deri atëherë, do të vazhdojmë të punojmë”, tha Murati tutje.

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!