×
  • Lajme
  • Lajme / Kuvendi

    “Kurrikula e miratuar më 2023 nga Ministria e Arsimit, mëson fëmijët si të kryejnë marrëdhënie seksuale”, përplasen Rrahmani e Nagavci

    Reporteri
    11 Nëntor 2024 | 14:02

    Eman Rrahmani nga Lista për Familjen, gjatë fjalës së tij në Kuvend, ka shprehur kritika ndaj Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologji dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, lidhur me miratimin e kurrikulës për vitin shkollor në vitin 2023.

    Rrahmani tha se në korrikulën e publikuar nga Ministria e Arsimit në vitin 2023, thuhet se mësimdhënësit mësohen se si t’u tregojnë fëmijëve nga klasa e parë, e deri në klasën e 12, se si i kryejnë marrëdhëniet seksuale në shtëpitë e tyre.

    Në kuadër të kësaj, Rrahmani e pyeti ministren Nagavci se kush i monitoron këto çështje, raporton gazeta online Reporteri.net.

    “Këtu sot do të duhej që ministrja Nagavci të tregonte se çka ka bërë me kurrikulën për arsim në edukatën seksuale dhe shëndetin riprodhues. Në atë kurrikulë mësohen se si mësimdhënësit t’i tregojnë fëmijëve nga klasa e parë, e deri në klasën e 12, se si i kryejnë marrëdhëniet seksuale në shtëpitë e tyre. Në atë korrikulë, ministrja Nagavci ka miratuar dhe ka prezantuar në vitin 2023, që fëmijët nga klasa e parë deri në klasën e 12, marrin shembull një vajzë dhe një djalë, ku i vendosin para gjithë shokëve e shoqeve të klasës, njërit ia mbyll sytë për pesë minuta, e nxënësi tjetër me dorën e tij do ta prekë në tërë trupin, me sy mbyllur, e pastaj do t’i ndërrojnë rolet, e në fund para tërë klasës do të tregojnë çka kanë ndjerë. Kjo është korrikula e publikuar në Ministrinë e Arsimit në vitin 2023. Sot do të duhej të na tregonin se çka ju pengon familja, çfarë familje duan, a është ky angazhimi ynë politik, kush i monitoron këto çështje?”, deklaroi Rrahmani para deputetëve.

    E menjëherë pas përfundimit të fjalës së tij, ministrja Nagavci në foltoren e Kuvendit, e quajti Rrahmanin “manipulator”, i cili sipas saj, është munduar gjithmonë të manipulojë me vajza e me familje.

    Madje sipas saj, deputeti Rrahmani ka keqpërdorur edhe foltoren e Kuvendit për interesa personale, ose të një grupi të caktuar.

    Ndërkaq, sa i përket miratimit të kurrikulës nga Ministria e Arsimit, Nagavci potencoi se miratimi i tyre ka të bëjë me edukimin dhe mirëedukimin e të gjithë vajzave dhe djemve.

    “Është për keqardhje që të keqpërdoret kjo foltore siç keni bërë gjithmonë për interesa personale ose të një grupi. Thjeshtë dhe shkurt, deputet Rrahmani, korrikulat tona që i kemi miratuar, kanë të bëjnë me edukimin dhe mirëedukimin e të gjitha vajzave dhe djemve. Në mënyrë që asnjë vajzë e asnjë djalë, të mos keqpërdoret ashtu siç keni bërë deri më tani. Pse nuk folët sot për udhëzimin administrativ?, sepse sot që po flasim, s’kemi asnjë vajzë që s’vjen në mësim. Ti mund të vazhdosh të sillesh kështu si gjithmonë, por unë s’do të mirrem me ju. Në vazhdimësi e keni keqpërdorur këtë foltore për të thënë se ka vajza s’shkojnë në shkollë për shkak të mbulesës, ju jeni munduar të manipuloni me vajza e me familje”, iu kundërpërgjigj Nagavci deputetit Rrahmani.

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!