×
  • Lajme
  • Botë

    Trump: Homan do të mbikqyrë sigurinë kufitare

    Reporteri
    11 Nëntor 2024 | 16:59

    Presidenti i zgjedhur i SHBA,Donald Trump, ka shpallur një tjetër vendim personeli për kabinetin e tij qeveritar. Tom Homan do të jetë “cari kufitar” i ri, njoftoi Trumpi në rrjetin e tij social “Truth”. Kjo do të thotë se Homan do të jetë përgjegjës për sigurinë kufitare dhe riatdhesimin e refugjatëve.

    Përveç monitorimit të kufijve jugorë dhe veriorë, si dhe sigurisë detare dhe ajrore, Homan do të jetë “përgjegjës për kthimin me detyrim të të gjithë emigrantëve të paligjshëm në vendin e tyre të origjinës”. Homan është “avokat i palëkundur për kontrollin e kufijve” dhe askush nuk është “më i mirë përmbikqyrjen dhe kontrollin e kufijve tanë”, tha Trumpi duke shpjeguar vendimin e tij.

    Ndarja e familjeve të migrantëve

    Trump ishte mbështetur te Homani që në mandatin e parë të tij: Homani ishte atëherë për një vit e gjysmë kreu i autoritetit të imigracionit ICE. Ai u konsiderua si mbrojtës i vendimit të diskutueshëm për të ndarë fëmijët e emigrantëve të parregullt nga prindërit e tyre. Pas kësaj, ndonjëherë u deshën vite për të ribashkuar familjet. Homan – dhe Trump – më vonë thanë se masa kishte synuar të shërbente si frikësim, në mënyrë që familjet as të mos niseshin për në SHBA.

    Dëbim në mënyrë “humane”

    Homan, oficer i policisë kufitare me trajnime, komenton rregullisht temën e migrimit në kanalin konservator të krahut të djathtë Fox News. Atje ai njoftoi se autoritetet e imigracionit do të zbatojnë planet e dëbimit të Trumpit në një “mënyrë humane”. Ushtria nuk do të përqendrohet thjesht në grumbullimin e emigrantëve dhe ndalimin e paligjshëm të tyre, “do të jetë një operacion selektiv dhe i planifikuar”.

    Burrat dhe gratë e ICE e bëjnë këtë çdo ditë, vazhdoi ai. E bëjnë shumë mirë. “Ne me shumë gjasa e dimë se ku do të jenë ata dhe ne do ta bëjmë atë në një mënyrë humane.”

    Çështje e rëndësishme e fushatës për Trump

    Trumpi e kishte bërë sigurinë kufitare pikë qendrore të fushatës së tij zgjedhore. Ai shpalli synimin e tij për të kryer operacionin më të madh të dëbimit në historinë eSHBA-së në ditën e parë të presidencës së tij. Trumpi bëri vazhdimisht komente armiqësore për emigrantët e parregullt, duke përfshirë se ata po “helmonin gjakun” e SHBA.

    Homan punoi për institutin konservator të krahut të djathtë Heritage Foundation në “Project 2025”, një koncept radikal për të riorganizuar aparatin e qeverisë amerikane me pozicione të ekstremit të djathtë.

    Stefanik do të jetë ambasadorja e re në OKB

    Trumpi njoftoi gjithashtu një tjetër emërim. Kongresmenia republikane Elise Stefanik do të jetë ambasadorja e SHBA në OKB. Stefanik është “luftëtare tepër e fortë, e ashpër dhe e zgjuar” për politikën America First, tha Trump, sipas një informacioni të New York Post.

    Trumpi dëshiron të emërojë ministra pa pëlqimin e Senatit

    Është e qartë se presidenti i ri i zgjedhur e ka me ngut për vendimet e personelit dhe nuk dëshiron të ngadalësohet nga anëtarët demokratë të Senatit. Trumpi dëshiron të përdorë një përjashtim për të emëruar ministra pa pëlqimin e Senatit.

    Në fakt, emërimet e kabinetit duhet të konfirmohen nga Dhoma e Kongresit. Megjithatë, kreu i shtetit ka të drejtë të emërojë përkohësisht ministrat gjatë pushimeve të seancës së Senatit që zgjasin të paktën dhjetë ditë. Kjo synon të garantojë kapacitetin e qeverisë për veprim.

    Në të kaluarën, presidentët amerikanë rrallë e kanë ndjekur këtë qasje. Për shembull, një mosmarrëveshje ligjore mbi emërimin e një ministri nga Presidenti Barack Obama në vitin 2012, bëri që Gjykata e Lartë e SHBA-së të caktonte kohëzgjatjen minimale të pushimeve të Senatit për emërime të tilla në dhjetë ditë./DW/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!