Ani pse ditën e djeshme Policia në Ferizaj bëri të ditur se ishte arrestuar një person rreth moshës 59-vjeçare me inicialet E.S, si i dyshuar për therjen me thikë ndaj katër personave, sot del të jetë se i njëjti nuk ka pasur lidhje me rastin.
Sot, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka thënë për Gazeta Online Reporteri.net se ka ndaluar për 48 orë një të dyshuar me inicialet F.I për veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë”, dhe ndaj të njëjtit do të parashtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
“Ju njoftojmë se me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar i dyshuari me iniciale F.I, në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë në tentativë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Prokuroria Themelore në Ferizaj, brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit do të parashktroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetëntë për shkak të dyshimit të veprës penale të lartëcekur”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë në Ferizaj për Reporteri.net.
Një 59-vjeçar dyshohet se ka therur me thikë katër persona ditën e djeshme në Ferizaj, dy vajza dhe dy meshkuj.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli kishte folur për Gazetën Online Reporteri.net lidhur me rastin në fjalë dhe të dyshuarin.
“Pas një pune intenzive të kërkimit, rreth orës 16:40 kanë arritur që në rrugën ” Besim Rexhepi” në afërsi të qendrës tregtare ” Plus Market” të arrestojnë të dyshuarin E.S ( M/K) i moshës rreth 59 vjeçar, i cili nën masa të sigurisë është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj. Hetuesit dhe krimteknikët rajonal janë duke i ekzaminuar vendet e incidentit, ndërsa është gjetur edhe një mjet i mprehtë ( thikë) me të cilën dyshohet se është përdorur në rastet e sipër përmendura. Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit. Për informata tjera do të njoftoheni me kohë”, kishte deklaruar gjatë ditës së djeshme Veseli për Reporteri.net.
Njëra nga vajzat është një 10-vjeçare e cila sipas Shefit të Intensivës në QKUK, ka lëndime serioze.
Për Gazetën Online Reporteri.net, Shaqir Uka tha se 10-vjeçare është duke u monitoruar 24 orë dhe është në aparatura mjekësore.
“Njëra paciente është 10-vjeçare, pas lëndimeve që ka pësuar me plagë therëse dhe pas intervenimit kirurgjik ajo është sjell dhe vazhdon të marrë trajtimin mjekësor në Mjekimin Intensiv qendor. Lëndimet janë serioze, por gjendja e përgjithshme e saj prezantohet të jetë stabile. Ajo vazhdon të jetë e monitoruar 24 orë dhe e kyçur për aparatura mjekësore”, tha Uka për Reporteri.net.
/Reporteri.net/