Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin e therjeve me thikë gjatë së hënës në Ferizaj, ku fillimisht u arrestua një person që u identifikua me inicialet E.S.
Ai u lirua sot, për arsye se në polici u vetëdorëzua i dyshuari kyç për rastin, që policia thotë se është 62 vjeçari me inicialet F.I. Sipas policisë, nga terreni janë siguruar videoinçizimet nga kamerat e sigurisë dhe fillimisht është dyshuar se E.S., i cili edhe u arrestua, ishte i dyshuari i kësaj ngjarje, sepse sipas policisë, veshja, mbathja, flokët dhe mjekra përputheshin me të dyshuarin.
Mirëpo, mëngjesin e sotëm policia njofton se personi me inicialet F. I i moshës 62 vjeçar nga Ferizaj është lajmëruar në polici, si i dyshuar rastin vrasje e mbetur në tentativë në Ferizaj.
Me vendim të prokurorit të rastit i dyshuari i parë E.S është liruar, ndërsa i dyshuari me inicialet F.I është ndaluar në mbajtje për 48 orë procedura tjera hetimore.
Gjatë ditës së sotme edhe nga Prokuroria Themelore në Ferizaj kanë thënë për Gazeta Online Reporteri.net se ka ndaluar për 48 orë të dyshuarin F.I për veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë”, dhe ndaj të njëjtit do të parashtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
“Ju njoftojmë se me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar i dyshuari me iniciale F.I, në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë në tentativë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Prokuroria Themelore në Ferizaj, brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit do të parashktroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente për shkak të dyshimit të veprës penale të lartëcekur”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë në Ferizaj për Reporteri.net.
Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës.
KOMUNIKATË PËR MEDIA
VRASJE E MBETUR NË TENTATIVË- INFORMATA SHTESË
Me datën 11.11.2024 rreth orës 15:40 jeni njoftuar se një person i dyshuar ka therrur me armë të ftohtë (thikë) katër persona, në tri rrugë të Ferizajt dhe ishte larguar në drejtim të panjohur.
Ekipe të shumta të policisë menjëherë kanë rrethuar zonën dhe në bazë të informatave të para të siguruara nga terreni, si dhe informatave nga dëshmitarët është ngritur dyshimi, se personi që ka kryer veprat është E.S ( M/K) i moshës 59 vjeçar, të cilin pas një pune intensive të kërkimit është arrestuar dhe shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj.
Nga terreni janë siguruar videoinçizimet nga kamerat e sigurisë dhe fillimisht është dyshuar se ky ishte i dyshuari i kësaj ngjarje, sepse veshja, mbathja, flokët dhe mjekrra përputheshin dhe me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në mbajtje për 48 orë, deri në sqarimin e plotë të rastit dhe hetimeve të mëtejme.
Hetuesit rajonal kanë vazhduar punën e tyre në identifikimin edhe të personave tjerë të mundshëm, të përfshirë në këtë rast, për derisa me datën 12.11.2024 rreth orës 03:00 të mëngjesit një person tjetër me inicialet F. I ( M/K) i moshës 62 vjeçar nga Ferizaj është lajmëruar në polici, i cili është i dyshuar në rastin vrasje e mbetur në tentativë në Ferizaj.
Me vendim të prokurorit të rastit i dyshuari i parë E.S është liruar, ndërsa i dyshuari me inicialet F.I është ndaluar në mbajtje për 48 orë procedura tjera hetimore.