Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka reaguar ndaj komenteve të zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili e ka quajtur Prokurorinë Speciale “organizatë kriminale”.
Përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare, thuhet se deklarime të tilla, krijojnë pasiguri për prokurorët dhe familjet e tyre, sepse kanë përmbajtje nxitëse, tendencioze, propaganduese dhe linçuese ndaj kësaj prokurorie dhe prokurorëve të saj, raporton gazeta online Reporteri.net.
“KPK dhe ZKPSH, deklarojnë se në vend që Zëvendësministri Sallahu të angazhohet dhe të ketë përkushtim maksimal, vullnet dhe iniciativa të shtuara për ngritjen e kapaciteteve, përmes rritjes së buxhetit të sistemit prokurorial për vitin 2025, i njëjti vihet në ballë të sulmeve sistematike ndaj prokurorive, prokurorëve dhe tërë sistemin prokurorial, duke harruar detyrën dhe përgjegjësitë e tij për t’u marrë me çështjet e avancimit dhe të fuqizimit të kapaciteteve përmes ndarjes buxhetore, që do t’i plotësonin nevojat e domosdoshme për kryerjen e punëve, mungesa e të cilit krijon barriera dhe paraqet vështirësi të mëdha në realizmin e përgjegjësive institucionale”, thuhet në reagimin e KPK-së.
Madje, të dyja institucionet kanë deklaruar se “s’do të ndalen asnjëherë para linçimit publik të eksponentëve të tillë politikë, të cilët kanë vënë në shënjestër Prokurorinë Speciale”.
Po ashtu, në reagimin e tyre thuhet se Prokurori i Shtetit po intensifikon angazhimet konkrete për ndriçimin e të gjitha rasteve, përfshirë edhe rastet ndaj zyrtarëve të dyshuar që janë në pushtet, duke mos u shmangur assesi nga misioni dhe pavarësia e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës.
/Reporteri.net/.