Dëshmitari Elmi Xhylani gjatë dëshmisë para Gjykatës Themelore në Prishtinë në gjykimin për krime lufte ndaj të akuzuarit Dragisha Milenkoviq, ka thënë se i akuzuari e ka maltretuar rëndë dhe rrahur në mënyrën me të keqe të mundshme sa ishte i burgosur në burgun e Prishtinës.
Në këtë rast, Dragisha Milenkoviq po akuzohet se në cilësi të gardianit në burgun e Prishtinës dhe Lipjanit, ka torturuar në mënyrë ç’njerëzore të burgosurit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e së mërkurës, Xhylani deklaroi se sa herë që ka qenë në ndërrim Milenkoviq, e kishte larguar nga qelia e vetmisë dhe bashkë me gardianët tjerë e kanë maltretuar rëndë e rrahur në mënyrën më të keqe të mundshme.
Ai tha se Milenkoviq nuk e kishte lënë as të komunikojë me të burgosurit e tjerë, duke i thënë “ke me pa ti se kush është Dragisha”.
“…Diku dy muaj kam qëndru në burgun e Prishtinës, unë kam qenë një njeri që të gjithë të burgosurit e kanë ditë që jam i vdekur për shkak të shumë maltretimeve që më janë bërë”, tha Xhylani.
Gjithashtu, dëshmitari ka deklaruar se të gjithë gardianët e kanë rrahur dhe maltretuar, por më së shumti tani i akuzuari Milenkoviq.
Sipas Xhylanit, të gjitha këto maltretime nga Milenkoviq i janë bërë në burgun e Prishtinës ndërsa në burgun e Lipjanit nuk i kujtohet që e ka maltretuar i akuzuari, përveç në kordon gjatë hyrjes në burgun e Lipjanit, që i kanë rrahur.
“Më kanë çu në qelinë e vetmisë, po në beton më kanë lanë me nejt 18 ditë, pa pas kontakt me kërkon, unë tepër mirë jam, unë s’di qysh po muj me i thanë këto fjalë, sa herë kam shku me u pastru unë jam rreh nga Dragisha dhe gardianët tjerë”, ka thënë Xhylani.
Në këtë seancë, si ish-i burgosur dëshmoi edhe dëshmitari Ekrem Kastrati, njëherësh kryetar i Komunës së Malishevës, i cili ka thënë se personelin e burgut në Prishtinë dhe në Lipjan shumë pak i ka njohur për shkak që nuk ka qëndruar shumë aty.
Dëshmitari Kastrati, ka thënë se është burgosur më 1 shkurt 1997 si pjesëtar i Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës (UҪK) dhe ka qenë në strukturën operative dhe se është burgosur nga forcat serbe.
Kastrati tha se sa ka qëndruar në burgun e Prishtinës më shumë kanë qenë të torturuar në aspektin psikologjik me sharje e ofendime.
“Ҫka keni dashtë me ba, është e pamundshme kjo çka keni dashtë ju dhe do ta pësoni keq në fund, kemi me ju vra”, tha Kastrati se ishin fjalët që ua thonin gardianët.
Po ashtu, Kastrati ka thënë se me të arritur në burgun e Lipjanit ka qenë një kordon prej gardianëve që kanë qenë të pajisur me shufra gome, stupca të bejsbollit dhe mjete të forta, e secili prej tyre është dashur që të kalojë përmes atij kordoni për të hyrë në dhoma.
Sipas tij, sjellja e gardianëve ka qenë jokorrekte, jonjerëzore dhe joligjore. Tha se nuk i kujtohet se kush i ka goditur duke kaluar në kordonin e gardianëve në burgun e Lipjanit, pasi që të gjithë janë munduar ta ruajnë kokën e tyre.
Në këtë seancë, mbrojtësi i të akuzuarit Dragisha Milenkoviq, avokati Dejan Vasiq, i ka propozuar trupit gjykues që të urdhërojë një kontroll mjekësor për të akuzuarin, pasi që sipas tij, bazuar në raportet mjekësore që i kanë i akuzuari është pothuajse i verbër.
Po ashtu, avokati i ka propozuar trupit gjykues që pas kësaj kontrolle mjekësore të shqyrtohet mundësia e ndryshimit të masës së sigurisë, ashtu që të akuzuarit masa e paraburgimit t’i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak.
Këtë propozim, avokati Vasiq e arsyetoi duke thënë se i akuzuari Milenkoviq nuk ka arsye që të ikë në Serbi pasi që atje nuk ka as shtëpi, as familje e as jetë, dhe çdo gjë e ka këtu në Kosovë, në Graçanicë.
Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Kujtim Krasnqi ia aprovoi avokatit propozimin për kontroll mjekësore për të akuzuarin, ndërsa lidhur me propozimin për ndryshimin e masës së sigurisë, tha se do të vendos pas raportit të kontrolles mjekësore.
Aktakuza e ngritur më 26 dhjetor 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Dragisha Milenkoviqin se në cilësinë e gardianit të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve në fjalë Ljubomir Çimburoviç, ish-drejtor i Burgut të Qarkut në Prishtinë, Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq, ish-gardianë të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç‘njerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, kabllo elektrike, gypa të ujit, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore, ashtu siç e shpjegojnë vetë viktimat, se pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psiqike, i kanë lënë pa ngrënë për gati një javë, i kanë kanosur seriozisht për jetë e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme kanë pësuar gjendje ankthi dhe frikë.
Aktakuza thotë se Milenkoviq, nga 24 maj 1999 deri më 10 qershor 1999, në Burgun e Lipjanit, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve në fjalë Çimburoviç, Bradiq dhe Iviq, pasi i kanë transferuar të burgosurit shqiptarë nga Burgu i Dubravës në Burgun e Lipjanit, fillimisht kishin formuar kordon në hyrje të burgut nga të dyja anët, ku të burgosurit ishin detyruar që të kalonin përmes kordonit, e pastaj kishin filluar që t’i godasin me mjete të ndryshme si shkop gome, grushte e shqelma.
Gjithnjë sipas aktakuzës, pas kësaj në mënyrë sistematike kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke torturuar në mënyrë ç‘njerëzore, maltretuar, shkaktuar lëndime trupore dhe siç e shpjegojnë vetë viktimat, pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psiqike, i kanë lënë pa ngrënë për ditë të tëra, i kanë ofenduar e sharë dhe i kanë kanosur seriozisht për jetë se do i vrasin të gjithë, veprime këto të cilat kanë shkaktuar gjendje ankthi dhe frike tek ata.
Me këtë, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së.
Milenkoviq ngarkohet edhe se në shtëpinë e tij më 21 qershor 2023, në Graçanicë, gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, policia ka gjetur një pistoletë, fishekë, karikatorë, thikë, shufër metalike.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.