×
  • Lajme
  • Lajme / E konfirmon Gjykata

    Një muaj paraburgim për 19-vjeçarin e dyshuar për vrasjen e dyfishtë në Klinë

    Reporteri
    14 Nëntor 2024 | 16:52

    Gjykata Themelore në Pejë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, të dyshuarit Jon Hoti për vrasjen e dy personave mbrëmjen e së mërkurës në një lokal në Pejë.

    Kjo është konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, nga zëdhënësja e kësaj gjykate, Elzana Kastrati.

    Rasti kishte ndodhur dje rreth orës 17:17 në sheshin “Mujë Krasniqi”, ku një nga viktimat u konstatua nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërsa personi tjetër nuk arriti t’i mbijetonte plagëve dhe vdiq në Spitalin e Pejës.

    Gazeta Online Reporteri.net raportoi mbrëmë se viktimat ishin kushërinj mes vete, ndërsa nga burime brenda institucioneve të sigurisë Gazeta mësoi se i dyshuari për vrasjen është Jon Hoti nga fshati Jashanicë, i lindur në vitin 2005.

    Në raportin 24 orësh, Policia bëri të ditur se në vendin e ngjarjes janë konfiskuar arma e zjarrit me një karikator me katër fishekë.

    “Sheshi Mujë Krasniqi, Klinë 13.11.2024-17:17. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë. Si pasojë, njeri prej tyre ndërron jetë në vendin e ngjarjes, vdekjen e të cilit e konstaton ekipi mjekësor, ndërsa tjetri dërgohen në Spitalin e Pejës ku për shkak të plagëve të marra ndërron jetë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet përkatëse, arma e zjarrit me një karikator me katër fishekë dhe tri gëzhoja konfiskohen, ndërsa me vendim të prokurorit, trupat e pa jetë dërgohen në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftim.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!