Bashkimi Evropian është ende duke shqyrtuar masat ndaj Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur sot zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Çështja e masave është ende në shqyrtim në Këshill. Kjo do të thotë se është duke u debatuar dhe do të vendoset nga vendet anëtare të BE-së, pavarësisht se kur skadon mandati i institucioneve aktuale evropiane”, deklaroi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një konferencë për media.
Që nga qershori i këtij viti ka një raport të Përfaqësuesit të Lartë BE-së, Josep Borrell në të cilin kërkohet që masat ndaj Kosovës të largohen.
Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para më shumë se një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët e rinj nisën punën e tyre në komunat në veri, pas zgjedhjeve që u bojkotuan nga serbët lokalë.
Masat e BE-së ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale.
Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit).
Këto masa, Qeveria e Kosovës i ka cilësuar të padrejta dhe ka kërkuar vazhdimisht heqjen e tyre. /Reporteri.net/