Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministre, është liruar nga akuza për mosraportim të pasurisë.
Aktgjykimi ndaj Gërvallës është marrë të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga gjykatësi Dibran Jusufi.
Gjykatësi tha se provat janë vlerësuar një nga një dhe u vërtetua se veprime për të cilën ngarkohet Gërvalla nuk përbëjnë vepër penale.
“Gjykata ka analizuar me vëmendje pretendimet e Prokurorisë, por me asnjë provë të vetme nuk gjen që janë përmbushur elementet e veprës penale”, tha gjykatësi Jusufi.
Deklarimin rreth fajësisë, Gërvalla e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Paulin Pashku të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
E pyetur nga mbrojtësi i saj, avokati Granit Vokshi nëse qëndron prapa deklaratës së dhënë në Prokurori më 24 nëntor 2024, Gërvalla pohoi një gjë të tillë.
“Po, qëndroj pas asaj deklarate në tërësi”, tha Gërvalla.
Në anën tjetër, prokurori Pashku e pyeti ministren nëse qëndron prapa sqarimit që ka dhënë për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
“Ky sqarim ka qenë objekt i bisedës sime me Prokurorinë dhe prandaj duke qëndruar pranë deklaratës së dhënë në Prokurori, nuk do doja të flisja për këtë deklaratë pasi nuk i mbaj në mend të gjitha detajet e deklaratës, mirëpo meqenëse është e përfshirë në deklarimin tim të dhënë para Prokurorisë”, tha ajo./Betimi për Drejtësi