Agjencia e Statistikave të Kosovës, i ka publikuar të dhënat preliminare në baza mujore për Lindjet, Vdekjet, Kurorëzimet dhe Shkurorëzimet për muajin Shtator 2024.
Në njoftimin e ASK-së thuhet se këto të dhëna publikohen duke u bazuar në të dhëna administrative.
“Sipas dispozitave ligjore mbi udhëheqjen e regjistrave themeltarë për Lindjet, Vdekjet, Kurorëzimet dhe Shkurorëzimet, rastet regjistrohen në mënyrë të obligueshme në regjistrat e lartë-cekur, në vendin ku ka ndodhur ngjarja, pa marrë parasysh se personat me të cilët lidhet ngjarja, vendbanimin e përhershëm e kanë në atë vend, ose në ndonjë vend tjetër”, thuhet në njoftim.
Kjo agjencia bëri të ditur se në sthator, janë regjistruar 2 mijë e 370 lindje (brenda dhe jashtë Kosovës).
Prej këtyre 1 mijë e 251 lindje janë meshkuj dhe 1 mijë e 119 janë femra.
Derisa, janë regjistruar gjithsej 890 raste të vdekjeve (brenda dhe jashtë Kosovës). Prej vdekjeve të regjistruara, 474 janë meshkuj dhe 416 janë femra.
Sa i përket martesave dhe kurorëzimeve ka qenë një muaj me bereqet sa i përket dashurisë.
Agjencia e Statistikave, thotë se në muajin shtator janë regjistruar gjithsej 1 mijë e 312 kurorëzime (brenda dhe jashtë Kosovës), kurse nuk munguan as shkurorëzimet.
Sipas ASK-së gjatë atij muaji janë regjistruar 152 raste.
“ASK-ja do të vazhdojë me grumbullimin e të dhënave përmes pyetësorëve të veçantë statistikorë, për Lindjet DEM-1, Vdekjet DEM-2, Kurorëzimet DEM-3, dhe Shkurorëzimet SHK-1, sikurse deri më tani. Grumbullimi i të dhënave vazhdon të bëhet çdo muaj dhe do të shërbejë për krijimin e bazës së të dhënave, si dhe krahasimin me të dhënat administrative.
Burimi i të dhënave të këtij publikimi është Agjencia e Regjistrit Civil të Kosovës.