×
  • Lajme
  • Botë / Gjykimi

    Vrasja me 28 plumba më 2003, dëshmitari thotë se nuk i kujtohet kur kishte shkuar në Amerikë i akuzuari

    Reporteri
    19 Nëntor 2024 | 18:07

    Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dëshmitari Musë Goqaj, tha se nuk i kujtohet se kur i akuzuari Dedë Lleshi kishte shkuar në Amerikë.

    Në këtë rast, Dedë Lleshi i cili është ekstraduar nga SHBA-ja, akuzohet se më 12 korrik 2003 në Raçë të Gjakovës, ka privuar nga jeta N.N., (47-vjeçar), duke shtënë 28 herë në drejtim të tij. Vrasja thuhet se ndodhi pasi tani i ndjeri ia kishte vrarë babanë tani të akuzuarit para 12 vitesh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas procesverbalit të seancës, dëshmitari Goqaj ka deklaruar se të akuzuarin e njeh që kur ishte fëmijë, pasi dajtë e Lleshit ishin pranë shtëpisë së dëshmitarit. Tha se më pas dajtë e të akuzuarit kishin shkuar në Amerikë për më shumë se 25 vite.

    Në verën e vitit 2003, dëshmitari tha se kishte qenë në Mal të Zi. Atë kohë, tha se e kishte parë dhe takuar të akuzuarin tek dajtë e tij.

    Për vrasjen e 12 korrikut, në procesveral thuhet se Goqaj deklaroi se nuk kishte dëgjuar.

    Mbrojtësi i Lleshit, avokati Ndrecë Dodaj, thuhet se e pyeti dëshmitarin se a i kishte thënë i akuzuari diçka lidhur me vrasjen.

    “Deda nuk ka ditë tjetër veç me punu edhe me ndejt me fëmijët e mi”, citohet të ketë deklaruar Goqaj.

    Sipas tij, i akuzuari Lleshi lëvizte herë pas here me vëllezërit e tij mes Kosovës dhe Malit të Zi.

    “Deda me vëllezërit vijshin e shkojshin edhe në Kosovë, por më shumë ka ndejt gjatë verës në Mal të Zi”, thuhet në procesverbal se deklaroi Goqaj.

    Ai ka thënë se i akuzuari Lleshi, nga muaji maj i vitit 2003 e deri në shtator ka qëndruar në Mal të Zi.

    I pyetur nëse i kujtohet se kur ka shkuar i akuzuari në Amerkë, pasi që tha se gjatë atij viti ka qenë në Mal të Zi, Goqaj, në procesverbal thuhet se deklaroi se nuk e di ngase nuk është përzier në atë punë.

    Dëshmitari ka shtuar se në Amerikë ai kishte shkuar pas vitit 2003.

    Më pas, në procesverbal thuhet se kryetari i trupit gjykues, Ilir Rashkaj bëri të ditur se në shkresat e lëndës ekziston raporti i identifikimit mjeko-ligjor, i 7 gushtit 2003, me të cilin është bërë verifikimi i gjurmëve latente të gishtërinjëve të gjetur në një karikator të armës automatike AK-47, e i cili është marrë në shtëpinë e këtu të akuzuarit.

    “Gjykata zyrtarisht do të verifikojë nëse gjenden të ruajtura këto gjurmë qoftë në Policinë e Kosovës- stacioni policor në Pejë, apo edhe në AKF në Prishtinë, e pastaj varësisht nga kjo do të urdhërojë që të bëhet edhe një herë verifikimi i gjurmëve të gishtërinjëve dhe të krahasohet me gjurmët e gishtërinjëve të këtu të pandehurit Lleshi”, citohet të ketë deklaruar gjykatësi.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë të ngritur më 18 prill 2024, Dedë Lleshi akuzohet se më 12 korrik 2003, në fshatin Raçë të Komunës së Gjakovës, në afërsi të dyqanit “V-Shala”, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin N.N., (47-vjeçar). Rasti thuhet se ka ndodhur për shkak të vrasjes së babait të tij P.Ll., të cilin para 12 vitesh e ka privuar nga jeta N.N,.

    Në aktakuzë thuhet se ditën kritike, tani i pandehuri Lleshi shkon në vendin e lartcekur me veturën e tij, duke i përcjellë lëvizjet e tani të ndjerit N., kur ky i fundit ka hyrë në dyqan për të blerë gjëra ushqimore, i pandehuri Lleshi e pret, me të vërejtur se del nga dyqani, prej një afërsie shtie në drejtim të tij 28 herë në pjesë të ndryshme të trupit.

    Aktakuza thotë se edhe kur viktima bie në tokë, i pandehuri Dedë, përsëri shtie në drejtim të kokës së viktimës, duke ia dëmtuar në tërësi pjësën e majtë të fytyrës, po ashtu duke i shkaktuar plagë të shumta me armë në kokë, gjoks dhe gjymtyrë, e nga plagët e marra nga viktima ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes.

    Për këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 30, par.2 pika 3 të LPK-së.

    Në arsyetimin e aktakuzës, thuhet se i pandehuri Dedë Lleshi, nga koha e kryerjes së veprës penale ka qenë në arrati. Ai është arrestuar me urdhërarrest ndërkombëtar dhe është ekstraduar nga SHBA në Kosovë.

    Në aktakuzë thuhet se më 7 shkurt 2024, nga ana e zyrtarëve policorë janë njoftuar se i pandehuri Lleshi, është ekstraduar nga SHBA, dhe është sjellë në Aeroportin e Prishtinës, e më pas në ndalim në Stacionin policor në Gjakovë.

    Ashtu që, pasi i akuzuari ka qenë më parë në arrati, Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 8 shkurt 2024 kishte marrë aktvendim për rifillim të hetimeve për vrasje e armëmbajtje pa leje, në lidhje me vrasjen e cila ka ndodhur në vitin 2003 dhe është paraqitur kërkesa për paraburgim. Më pas, të njëjtit iu caktua masa nën të cilën vazhdon të jetë ende.

    Sipas aktakuzës, gjatë procedurës hetimore është vërtetuar në tërësi se i pandehuri Dedë Lleshi, ka kryer veprën penale “Vrasje”, ndërsa sa i përket veprës penale “Mbajtja pa autorizim i armëve dhe municionit” nga neni 8, par.8.5 lidhur me par.8.3 të rregullores të UNMIK-ut 2001/7, ka ardhur në përfundim se ka kaluar afati absolut i parashkrimit të ndjekjes penale, pasi kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga koha e kryerjes së veprës penale.

    “…andaj duke u gjendur në këto rrethana dhe faktet e lartpërmendura, kemi marrë Aktvendim për pushimi e pjesërishëm të hetimeve, ndaj të pandehurit Dedë Lleshi, për shkak të veprës penale Mbajtja pa autorizim të armëvve dhe municionit nga neni 8 par.8.5 lidhur me par.8.3 të rregullores të UNMIK-ut 2001/7″, thuhet në aktakuzë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!