×
  • Lajme
  • Lajme / Reagim

    Kryeshefi i “Pastrimit”: Përparim Rama dhe Bekim Brestovci po synojnë falimentimin e ndërmarrjes, po rrezikojnë qindra vende pune

    Reporteri
    19 Nëntor 2024 | 19:26

    Kryeshefi i KRU “Pastrimit”, Petrit Reçica, ka reaguar pasi Komuna e Prishtinës ka shpallur tender në vlerë mbi 16 milionë euro për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.

    Sipas Reçicës, Kryetari i Komunës, Përparim Rama dhe Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, po marrin hapa që çojnë drejt falimentimit të kompanisë publike “Pastrimi” dhe se po rrezikojnë vendet e punës të 900 punëtorëve, shkruan Reporteri.net.

    “Me publikimin për kontraktimin e kompanive private për mbledhjen e mbeturinave në 6 llote për vlerën 16.5 milionë euro Komuna e Prishtinës po bën një hap të qartë drejt margjinalizimit të Ndërmarrjes Publike Rajonale KRM “Pastrimi,” duke rrezikuar drejtpërdrejt qëndrueshmërinë e saj. Kjo ndërmarrje, me 900 punëtorë në nivel rajonal, prej të cilëve 300 në Prishtinë, është një shtyllë e rëndësishme e shërbimeve publike për qytetarët. Me këtë veprim po tentohet të shpenzohen 16.5 milionë euro vetëm në shërbim me 0 investime kapitale, çka nënkuptohet që Kryeqyteti pas skadimit të kontratës do të kthehej në pikën zero sa i përket trajtimit të mbeturinave”, thuhet në reagim.

    Nga kjo ndërmarrje i kanë bërë thirrje Ramës që të anulojë këtë tender.

    “Vendimet e Komunës duket se synojnë falimentimin e KRM Pastrimi dhe privatizimin e shërbimeve thelbësore për qytetarët, duke minuar parimet e menaxhimit transparent dhe efektiv të mbeturinave. I bëjmë thirrje Kryetarit të Komunës Përparim Rama, që të ndalojë këto veprime të papërgjegjshme që rrezikojnë qindra vende pune dhe të rikthejë fokusin te mbrojtja e interesit publik. Gjithashtu, kërkojmë një qasje të drejtë për mbështetjen e KRM “Pastrimi”, si një ndërmarrje publike rajonale me më shumë se 67 vite ekzistencë dhe e cila ka shërbyer me përkushtim për vite me radhë”, thuhet në reagim.

    Ndryshe, Reporteri.net raportoi sot se Komuna e Prishtinës ka shpallur tender në vlerë prej 16 milionë e 500 mijë euro për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.

    Ky tender është i ndarë në gjashtë lote, derisa kohëzgjatja e kontratës është për 36 muaj apo tri vjet.

    Afati për dorëzim të ofertave për këtë tender është deri më 30 dhjetor, në orën 14:00.

    Përparim Rama planifikon t’i shpenzojë 16 milionë Euro në kompani private për pastrimin e kryeqytetit, nis tenderimi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!