×
  • Lajme
  • Lajme / Prishtinë

    Vdekja tragjike e Liman Musliut, Inspektorati i Punës ende pa raport se si pjesëtari i FSK’së ra nga kati i 11 i ndërtesës ku po punonte

    Reporteri
    21 Nëntor 2024 | 16:33

    Më 9 nëntor, në vendin e tij të punës, vdiq në mënyrë tragjike Liman Musliu, ish-pjesëtar i UÇK-së, TMK-së e FSK-së, derisa po punonte në ndërtimtari. Edhe pse që kanë kaluar mbi dhjetë ditë nga aksidenti, Inspektorati Qendror i Punës ende nuk ka hartuar asnjë raport zyrtar për vdekjen e tij. Çfarë po ndodh?

    Vdekja e Liman Musliut në vendin e punës, pa kushte që i ofrojnë sigurinë në punë, nxiti reagim dhe u bë temë në vend. Por kur kanë kaluar më shumë se 10 ditë nga rasti tragjik, Inspektorati i Punës ende nuk ka arritur të hartojë ndonjë raport zyrtar për aksidentin ku e humbi jetën ish-ushtari i dalluar i njësisë speciale të UÇK-së, “Tigrat e Zi”, në Drenicë.

    IQP-ja të enjten i tregoi gazetës online Reporteri.net, në mënyrë të përgjithësuar hapat që i ka ndërmarrë në lidhje me hetimin e vdekjes së Musliut në vendin e punës në Prishtinë.

    “Inspektorati Qendror i Punës bazuar në mandatin ligjor, me të marrur informatën për aksidentin në vendin e punës, kanë dalur në vendin e ngjarjes, dhe janë duke i ndermarrur veprimet e parapara ligjore, dhe ende inspektori i punës i rastit është në fazën e mbledhjes dhe administrimit të dëshmive relevante për ta hartuar raportin zyrtar”, thuhet në përgjigjen e IQP-së për gazetën online Reporteri.net.

    Liman Musliu vdiq tragjikisht më 9 nëntor, derisa po punonte jashtë orarit zyrtar të FSK-së, në ndërtimtari. Musliu pësoi aksident në vendin e punës, duke rënë nga kati i 11-të.

    Policia konfirmoi rastin dhe njoftoi se ndodhi në një objekt banesor në rrugën “Gucia” në Prishtinë.

    “Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”. Sipas njoftimit, rasti po trajtohet si “asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.

    Për shkak të kontributit në luftë në UÇK, e paslufte në TMK e FSK, Musliu u varros me nderime të larta ushtarake, që u organizuan nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes. Gjatë varrimit të tij, u lexua edhe një telegram ngushëllimi i presidentes Vjosa Osmani, e cila e vlerësoi lart kontributin e Musliut për lirinë dhe ngritjen e kapaciteteve ushtarake të Kosovës.

    Në të pame për kryeshëndosh shkoi edhe vetë kryeministri Albin Kurti dhe disa zyrtarë të tjerë të pushtetit, përfshirë ministrin Ejup Maqedonci.

    “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe deputetë të Kuvendit, vizituan për ngushëllime familjen Musliu në Drenas. Ai u shprehu familjarëve dhe miqve ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e më të dashurit të tyre, Liman Musliu, të cilin do ta kujtojmë gjithmonë për kontributin kombëtar dhe shërbimin ndaj vendit dhe Forcës së Sigurisë së Kosovë”, thuhej në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

    Po ashtu, në familjen Musliu shkuan edhe politikanë të tjerë nga të gjitha partitë politike. Pas vdekjes, Musliu u nderua me dekoratë nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së, të cilën ia ndau familjes ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!