×
  • Lajme
  • Lajme / Drejtësi

    Hovenier: Sistemi i drejtësisë në Kosovë shpesh shqipton dënime të buta, këtë e tregojnë raportet ndërkombëtare dhe vendore

    Reporteri
    22 Nëntor 2024 | 14:47
    Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier derisa ka folur në lansimin e Udhëzuesit për Matjen e Dënimit nga Gjykata Supreme ka thënë se dënimi është ndër fazat më të rëndësishme të drejtësisë penale. Diplomati amerikan tha se raportet ndërkombëtare dhe vendore tregojnë se sistemi i drejtësisë ende shumë shpesh shqipton dënime të buta dhe jo-proporcionale.

    “Dënimi është ndër fazat më të rëndësishme të drejtësisë penale dhe udhëzuesi i përgjithshëm do të ofrojë një kornizë të qartë për shqiptimin e dënimeve për shkeljet penale në Kosovë. Siç e dëgjuam, Kosova para 6 vitesh ka miratuar udhëzuesin e parë për matjen e dënimeve dhe zyrtarët e sistemit të drejtësisë së Kosovës vazhdojnë të jenë shembull për vendet e rajonit. Ky është vetëm hapi i parë, sepse siç e dini e gjithë puna e vështirë fillon tani. Duhet të bëhet gjithë ajo punë që ky udhëzues të jetë real dhe të hyjë në fuqi, sepse raporte ndërkombëtare dhe vendore tregojnë se sistemi i drejtësisë në Kosovë ende shumë shpesh shqipton dënime të buta apo jo proporcionale, duke theksuar nevojën urgjente që ky udhëzues të zbatohet plotësisht”, ka theksuar Hovenier.

    “Me zbatimin e këtij udhëzimi ju i tregoni publikut se vendimet tuaja bazohen në standarde dhe praktikat më të mira në drejtësi. Edhe Shtetet e Bashkuara kanë pasur një proces të ngjashëm. Vazhdojmë të mësojmë nga ky proces, asnjë shtet nuk e bën siç duhet, por përdorimi i udhëzuesit në SHBA ka pasur sfidat e veta, por ka zvogëluar mospërputhjet e padrejta ndërmjet juridiksioneve, ka krijuar një sistem më të qëndrueshëm që balancon diskrecionin gjyqësor me llogaridhënien”, tha ai.

    Ambasadori amerikan ka ripërsëritur përkrahjen e Shteteve të Bashkuara karshi Kosovës.

    “Prej pavarësisë dhe para pavarësisë Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar krah jush. Do të vazhdojmë të jemi krah jush”, shtoi Hovenier.

    Ndërkohë kreu i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi tha se po shënohet një nga momentet më të rëndësishme për sistemin e drejtësisë.

    “Ky dokument është rezultat i një pune të gjatë, reflekton angazhimin tonë për të siguruar një drejtësi të konsoliduar dhe një praktikë unifikuese në përputhje me praktikat e legjislacionit në fuqi”.

    Ai tha se udhëzuesi i tanishëm për dallim prej atij të 2018-s ofron sqarime specifike për pothuajse secilin kapitull të Kodit Penal.

    “Problemet aktuale në matjen e dënimit për veprat e njëjta penale qoftë brenda të së njejtës gjykatë apo në gjykata të ndryshme kanë pasoja të mëdha pasi ato po ndikojnë në besimin e qytetarëve lidhur në paanshmërinë dhe profesionalizimin e gjyqësorit, duke ndikuar kështu në imazhin e sistemit të drejtësisë”, tha Rexhepi duke shtuar se ky udhëzues jo vetëm që synon forcimin e sundimit të ligjt por edhe rritjen e besimit të qytetarëve dhe ndjenjës së sigurisë./Express

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!