×
  • Lajme
  • Shqipëria

    U arrestuan për masakrën e Dobraçit, Gjykata jep vendimin për 4 policët e forcave “Shqiponja”

    Reporteri
    22 Nëntor 2024 | 23:48

    Gjykata e Shkodrës ka dhënë sot masat e sigurisë për 4 efektivet e forcës “Shqiponja” që u arrestuan nga AMP për atentatin e 30 tetorit me 4 viktima në Dobraç.

    “Detyrim paraqitje”, “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullim nga detyra” janë masat për të katër policët.

    Agjencia e Mbikëqyrjes Policore referoi disa javë më parë materialet në Prokurorinë e Shkodrës ku akuzoi efektivët e policisë së Shkodrës për shpërdorim detyre në lidhje me masakrën e Dobraçit.

    Sipas burimeve, AMP kishte dyshime të forta se efektivët nuk kanë kryer detyrën duke lënë që të ikë nga vendngjarja personin e tretë që dyshohet se ishte në makinën e Hamza Licit dhe Arlind Buhatit.

    Ende mbetet mister personi që del në videot e filmuara pak minuta pas masakrës.

    Atentati me 4 të vrarë në zonën e Dobraçit në Shkodër më 30 tetor i kaloi për hetim SPAK-ut një ditë më parë. Prokuroria dyshon se krimin e ka kryer një grup i strukturuar kriminal.

    Nga elementët që ka gjetur policia lokale e Shkodrës dhe Prokuroria e Shkodrës ka dyshime dhe bindjen se vrasjet u kryen në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

    Krimet e kryera në kuadër të grupit të strukturuar janë kompetencë e SPAK dhe për këtë arsye i ka kaluar Prokurorisë së Posaçme për hetime më të thelluara. Sapo dosja të administrohet në protokoll, pritet të hidhet shorti prej nga ku do të caktohet grupi hetimor i posaçëm./Top Channel/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!