×
  • Lajme
  • Lajme / Njoftimi i ZKM-së

    Kurti takohet me Gashin, diskutuan për mbledhjen ndërqeveritare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

    Reporteri
    25 Nëntor 2024 | 16:11

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme mirëpriti Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.

    Fillimisht, Kurti dhe kryetari Gashi zhvilluan një takim tetë-a-tetë, që u përcoll pastaj me një takim bilateral ndërmjet dy delegacioneve.

    Gjatë takimit bilateral të delegacioneve u diskutua për domosdoshmërinë e bashkëpunimit dhe ndërveprimit ndërmjet dy kuvendeve respektive, dhe për mundësinë e mbështetjes nga ana e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ndaj Kosovës në forume dhe takime ku Kosova nuk është e pranishme apo e përfaqësuar.

    “Kryeministri veçoi nevojën e ratifikimit në afat optimal të të gjitha marrëveshjeve që dalin nga bashkëpunimi bilateral, përfshirë edhe ato të Procesit të Berlinit. U theksua gjithashtu vlera e shtuar e protokollit dhe dy memorandumeve të mirëkuptimit që Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut nënshkruan në mbledhjen e dytë të përbashkët, e cila u mbajt më 18 nëntor në Prishtinë, si dhe intensifikimi i punës në realizimin e projekteve infrastrukturore që lidhin dy vendet”, thuhet në njoftim.

    Kurti falënderoi kryetarin Gashi për vizitën dhe tha se bashkëpunimi parlamentar ndihmon në rritjen dhe zgjerimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!