Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë filluar një tjetër përplasje. Këtë herë për kontratat njëburimore, shkruan Reporteri.net.
Përplasja mes tyre ka filluar pas një infografike që publikoi dje Ministri Murati, ku tha se niveli më i lartë i përdorimit të kontratave me procedurë të negociuar ka qenë në vitet 2008 dhe 2015, duke theksuar se në 2015 ministre ka qenë edhe Bajrami.
“Dhe e treta, nëse e shikojmë nëpër vite se si ka qenë raporti i kontratave me procedurë të negociuar nëpër vite, del se niveli më i lartë i përdorimit të kësaj lloj metode, pra tenderë njëburimorë apo tenderë sekretë siç ka qef t’i quajë opozita, ka qenë në vitet 2008 me 19.9% dhe në vitin 2015 me 16.1%. …Edhe në vitin 2008, edhe në vitin 2015, në qeverisje ka qenë koalicioni PDK-LDK. Madje në vitin 2015 ka qenë ministre edhe deputetja Bajrami, e cila është aq e zellshme të “denoncojë” këtë metodë të prokurimit”, shkroi Murati.
Grafikonin e publikuar nga Murati, Bajrami e quajti komplet të pasaktë, teksa shtoi se Murati po tenton ta mbulojë “korrupsionin galopante që ka bë kjo qeveri”.
Ajo tha se nuk ka mundur që në vitin 2008, vlera e kontratave të lidhura të jetë mbi 800 milionë euro meqë i gjithë buxheti ka qenë në vlerë 963 milionë euro.
Nga kjo shumë ajo e përmendi se si 227 milionë janë shpenzuar për paga, 209 milionë për subvencione dhe transfere dhe 18 milionë për shpenzime komunale, mjete që nuk shpenzohen përmes prokurimit publik.
“Dmth. pjesa e mbetur e që është vetëm 509 milionë euro (963 –227-209 -18 = 509) ka mbetë për tu shpenzuar përmes procedurave të propkurimit publik. Dmth. gënjeshtra e djeshme e Hekurnait është hiç me pak se 800-509 milionë = 291milionë euro. KAQ, sa i përket propagandës se tij, e cila po bëhet në mungesë të rezultateve, dhe tentim të mbulimit të korrupsionit galopant që ka bë kjo Qeveri”.
Kundërpërgjigjen ndaj Bajramit, Murati e ka filluar duke shkruar “Hykmete, s’paske mësu as sot. Ulu, njësh!”.
Murati ka thënë se ndonëse Bajrami ka qenë Ministre e Financave dhe Ministre e Tregtisë, me këtë postim “e dëshmon që ende nuk i din e as që i ka kuptuar ndonjëherë elementet bazë të funksionimit të buxhetit, apo të financave publike në përgjithësi”.
“ Por, siç nuk e din Hykmetja, buxheti përveç vitit fiskal që mbulon, ka projeksione edhe për dy vite tjera në kuadër të asaj që quhet Korniza Afatmesme e Shpenzimit – KASH. Dhe siç nuk e din Hykmetja, edhe nëse i tërë buxheti për vitin ekzistues është 500 milionë euro, kjo nuk e ndalon organizatën buxhetore që të lidhë kontratë disavjeçare për, ta zëmë ndërtimin e një autostrade, ku pagesa shtrihet në 3 apo 4 vite nga 200 milionë euro. Pra, shpenzimi në njërën anë dhe disponueshmëria e mjeteve në anën tjetër, janë dy gjëra të ndryshme. Këtë e din secili qe merret me financat publike. Por jo edhe Hykmetja”, ka shkruar Murati.
Lidhur me këtë postim, Bajrami i ka reaguar duke thënë se nuk do ta ketë asnjëherë “kënaqësinë me me notu”, duke shkruar tutje “Rritu!:”
Bajrami ka publikuar një video kur deputetët e VV’së nuk votojnë pro auditimit të kontratave njëburimore.
Postimin e Muratit, ajo e ka quajtur një gënjeshtër tjetër.
“Ajo çka po thu ti nuk qendron, por edhe të qendronte a e din çka tregon po i mjerë. Ti vetë po thua që buxheti i shpenzuar përmes prokurimit publik, ka qënë me i lartë në vitin 2008 kur buxheti total në terma të shpenzimeve ishte vetëm 963 milionë euro sesa buxheti i kontraktuar përmes prokurimit publik në vitin 2023, kur buxheti total është 2 miliardë e 925 milionë euro.
Ajo i ka bërë thirrje që t’i publikojë kontratat nga viti 2007 e deri në vitin 2023.
“Prokuroria ka shumë punë me ju. Publikoj kontratat prej vitit 2007 deri me 2023 ta shohim vërtetësinë e të dhënave! Të shkuan 4 vjet duke vizatu grafa të paqëna, 4 vjet me propagandë, asnjë premtim i mbajtur prej 160 çerdheve deri të lirimi i energjisë elektrike. Ik puno diçka, anuloni grantet që i keni pezullu. Ju qeveria për familjen (familjen tuaj)”, ka shkruar Bajrami.