Autoritetet serbe u raportua se të premten kanë arrestuar dy shtetas të Kosovës.
Siç u raportua, dy kosovarët nga Podujeva janë arrestuar nën dyshimin për “vjedhje të rëndë”.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kanë thënë për Gazetën Online Reporteri.net se i kanë dërguar kërkesë Qeverisë së Serbisë për të marrë detaje mbi këtë rast, përfshirë identitetin e personave të arrestuar dhe lokacionin ku ata janë duke u mbajtur.
“Në lidhje me këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, i ka dërguar tashmë Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë kërkesë formale për ta konfirmuar rastin si dhe ofruar detajet tjera relevante, përfshire identitetin e personave të arrestuar si dhe lokacionin ku janë duke u mbajtur”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për Reporteri.net.
Lidhur me këtë, MPJD njofton se janë njoftuar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi dhe misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Beograd.
Ministria shton se në momentin e konfirmimit të arrestimit të dy qytetarëve do të bëjë kërkesë për t’i vizituar ata në qendrën e paraburgimit ku po mbahen.
“Në momentin e konfirmimit, diplomatët e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi do të bëjnë kërkesë zyrtare për vizitën e tyre në qendrën e paraburgimit ku janë duke u mbajtur”, ka theksuar MPJD. /Reporteri.net/
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.