×
  • Lajme
  • Shqipëria / Tiranë

    112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, sot mbahet parada e shqiptarëve nga të gjitha trevat

    Reporteri
    28 Nëntor 2024 | 7:25

    Tirana është veshur me ngjyrat kuqezi për nder të Festës së Pavarësisë.

    Flamuj kombëtar janë vendosur në anët e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” e kuqezi janë veshur edhe institucionet kryesore në vend.

    Për të dytin vit, atje do të mbahet parada e Shqiptarëve, një aktivitet që promovon veshjet e tipare tradicionale nga të gjitha trevat shqiptare.

    Parada do të nisë në orën 11:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe do të përfundojë rreth orës 14:00 në sheshin “Skënderbej”.

    Fillimisht festën do ta hapin shqiptarët e New York dhe do ta mbyllin ata të Tiranës.

    Në prag të mbajtjes së kësaj parade, në Pallatin e Brigadave u mbajt ceremonia e mikpritjes së përfaqësuesve nga të gjitha trevat shqipfolëse, kryetarë komunash e përfaqësues nga shoqatat shqiptare në SHBA.

    Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar.

    Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.

    28 Nëntori i vitit 1912 shënon një kthesë historike për popullin shqiptar, sepse nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e tij më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor.

    Shpallja e Pavarësisë ishte një fitore e madhe e shqiptarëve edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve e planeve të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë. Shpallja e Pavarësisë dhe ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë ishte fitore e përbashkët për të gjithë popullin shqiptar dhe për të gjitha forcat që kishin marrë pjesë në luftën për çlirimin kombëtar, me pushkë dhe me penë.

    Festa e 28 Nëntorit shënon ditën e pavarësisë së Shqipërisë, ku organizohen aktivitete të ndryshme.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!