Përdoruesit e shërbimëve të kompanisë IPKO gjatë ditës së sotme janë përballur me telashe.
Ata kanë pasur probleme me internet dhe nuk kanë mundur të kryejnë telefonata.
Shumë përdorues të IPKO’s janë ankuar për mungesën e shërbimeve. .
Në një postim ku IPKO uron shqiptarët për festën e 28 nëntorit disa komentues kanë reaguar sa i përket këtyre telasheve.
“Jeni të tmerrshëm, asnjë minutë kompensim për problemet e juaja të rrjetit”, ka shkruar një komentues.
“Veç edhe interneti me pas me ju bo”, ka komentuar një person tjetër.
“Interneti kaput”, “Spo bon interneti, as linja telefonike! Urime edhe juve, vec përgjigjnu dikush”, ishin disa nga komentet tjera.
Një konsumator ka publikuar edhe një ‘screenshot’ ku shihet se ka kontaktuar disa herë qendrën e thirrjes në IPKO por nuk i është përgjigjur askush.
Pas këtyre ankesave të qytetarëve, nga IPKO kanë thënë se kanë pasur një ndërprerje të përkohshme të shërbimeve që është shkaktuar nga prerjet e fibrave optike në tri lokacione të ndryshme.
“Sot kemi përjetuar një ndërprerje të përkohshme të shërbimeve, e shkaktuar nga prerjet e fibrave optike në tre lokacione të ndryshme. Megjithëse rrjeti ynë është projektuar me sisteme rezervë për të garantuar vazhdimësinë e shërbimeve, ndodhia e njëkohshme e ndërprerjes së tretë, ndikoi në ofrimin e shërbimeve të internetit fiks dhe mobil.”
Sipas tyre ndërprerja zgjati një orë dhe se tash shërbimet janë plotësisht funksionale.
“Ndërprerja zgjati një orë, gjatë së cilës ekipet tona teknike punuan me përkushtim për të rikthyer shërbimet sa më shpejt të ishte e mundur. Tani problemi është zgjidhur dhe të gjitha shërbimet janë plotësisht funksionale”, kanë thënë nga IPKO për Express.