×
  • Lajme
  • Lajme / Kryeministri shqiptar

    Edi Rama reagon për sulmin në Zubin Potok: Krim i rëndë, cënoi jetën e qytetarëve

    Reporteri
    30 Nëntor 2024 | 10:33

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar për sulmin në kanalin e Ibër Lepencit në Zubin Potok.

    Ai përmes një postimi në rrjetin social “X” ka thënë se sulmi në Zubin Potok cënon jetën e qytetarëve në Kosovë dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin perëndimor.

    Rama ka theksuar se kjo goditje kriminale duhet zbardhur dhe ndëshkuar me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar.

    “Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cënon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Ndërkohë Bashkimi Europian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë”.

    “Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës, ku fati europian i secilit shtet s’mund të varet nga dëshirat a mosdëshirat e shtetit tjetër; ashtu sikundër fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së”, ka shkruar Rama.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!