×
  • Lajme
  • Lajme / Shpërthimi në Varagë

    Kurti: Jemi të hendikepuar që ushtria jonë s’mund të shkojë në Veri, e respektoj zotimin e Thaçit të vitit 2013 por nuk më pëlqen

    Reporteri
    01 Dhjetor 2024 | 19:51

    Kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media ka folur për sulmet në veri të vendit, konkretisht në kanalin e Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut, ku përmendi edhe ish-kryeministrin dhe ish-presidentin Hashim Thaçi.

    Kurti tha se ushtria jonë nuk mund të shkojë në veri nga zotimi i Thaçit bërë në vitin 2013.

    “Kanali Ibër-Lepenc, është një kanal prej mbi 50km dhe natyrisht që është tejet e vështirë që ai të kontrollohet e të jetë në mbikëqyrje 24/7 në tërë gjatësinë e tij. Pra nuk bëhet fjalë për 50 metra, por për më shumë se 50km. Në veriun e Kosovës ne jemi të hendikepuar meqenëse ushtria jonë që nga zotimi i ish-kryeministrit Thaçi në vitin 2013 nuk mund të shkojë në veri të Ibrit dhe në këtë mënyrë atje nuk është situata sikurse në pjesët tjera të vendit tonë”, tha Kurti në konferencë.

    “Ne po e respektojmë letrën e pararendësit tim, ndonëse unë as s’e kam mirëpritur e as s’më pëlqen, por e respektojmë, Në veri kemi KFOR-in dhe Policinë e Kosovës. A do të ishte më mirë, më sigurt të ishte ushtria e Kosovës? Po, por ne respektojmë atë zotim të pararendësit”, është shprehur ai.

    Kurti ka shtuar se liria e kryeterroristit Milan Radoiçiq në Serbi është mbrojtje e hapur nga autoritetet serbe dhe inkurajim që të tjerët të kryejnë sulme terroriste në Kosovë.

    “Qëndrimi i lirë e aktiv i Radoiçiqit në Serbi është e vërteta e Serbisë që po përpiqet që fqinjët e saj që s’janë anëtarë të BE-së t’i vë në kushte të tensionit dhe rrezikut. Liria e Radoiçiqit përbën mbrojtje të hapur nga autoritetet serbe dhe inkurajim për të tjerët që kryejnë sulme terroriste në Kosovë. Pas sulmit në Banjskë, ka pasur sulme të tjera. Këto ngjarje po dëshmojnë se Serbia s’ka ndërmarrë asgjë të parandalojë terrorizmin”, ka shtuar ai. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!