Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se sulmi i 29 nëntorit në veri të vendit, është një akt terrorist.
Tahiri ka thënë se ky sulm dëshmon se rrjeti i krimit dhe ai terrorist sponsorizohet nga një politikë anti-evropiane dhe anti-amerikane me qëllim të destabilizimit të vendit dhe rajonit.
Ai thotë se është koha për veprim, unitet, vendosmëri dhe maturi. Guximi i Kosovës nuk ka munguar kurrë, dhe historia dëshmon se asnjë kërcënim nuk mund ta thyejë atë.
Postimi i tij:
Sulmi i 29 nëntorit është një akt terrorist, i cili dëshmon se rrjeti i krimit dhe ai terrorist sponsorizohet nga një politikë anti-evropiane dhe anti-amerikane me qëllim të destabilizimit të vendit tonë dhe rajonit.
Akti terrorist i mbrëmshëm është pjesë e një mendësie të errët të Serbisë, një shtet që mbron, amniston, përdor dhe instrumentalizon kriminelë dhe terroristë për të imponuar agjenda pro-ruse sipas udhëzimeve dhe strategjive që ndjek.
Kushdo që nxit sulme të tilla duhet ta dijë se, ne si shtet dhe institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës kanë kapacitet të plotë të mbrojtjës së vendit tonë.
Kosova nuk eksporton pasiguri dhe jostabilitet. Kjo është kultura jonë kombëtare dhe njerëzore, e cila nuk duron dhunën dhe aktet e shëmtuara si ai i mbrëmshëm.
Një hetim i thellë duhet të ndodh shpejt në bashkërendim të plotë me institucionet e sigurisë së vendit dhe partnerët ndërkombëtar.
Ndërsa në Kosovë, ata që sfidojnë lidershipin amerikan duhet ta dinë se, për aq kohë sa veprojnë në atë agjendë, janë duke i dhënë Serbisë një kapital politik dhe diplomatik, të cilin ajo e konverton lehtësisht në projekte dhe projeksione që godasin Kosovën drejtpërdrejt ose tërthorazi.
Është koha për veprim, unitet, vendosmëri dhe maturi. Guximi i Kosovës nuk ka munguar kurrë, dhe historia dëshmon se asnjë kërcënim nuk mund ta thyejë atë.