Kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media ka folur për sulmet në veri të vendit, konkretisht në kanalin e Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut, ku përmendi edhe ish-kryeministrin dhe ish-presidentin Hashim Thaçi.
Kurti tha se ushtria jonë nuk mund të shkojë në veri nga zotimi i Thaçit bërë në vitin 2013.
Ndaj kësaj deklarate të Kurtit ka reaguar sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila i ka thënë kryeministrit nëse nuk mund ta mbështet Thaçin i cili gjendet në Hagë, ta lërë rehat, shkruan Reporteri.net.
Postimi i Çitakut:
I nderuari Kryeministër,
Armiqtë e Kosovës, ata të vërtetit janë jashtë Kosovës, e ata imagjinarët janë vetëm në mendjen tuaj.
Hashim Thaçi, opozita, mediat, nuk qeverisin me Kosovën. E keni shumicën absolute, vendimet i merrni ju, si për polici, si për AKI, si për FSK-në.
Ato vendime që janë në funksion të fuqizimit të Republikës i mbështesim edhe ne.
E Hashim Thaçin, nëse nuk mund ta mbështesni, lejeni rehat. Sot ai është në betejë për historinë dhe të ardhmen tonë.