Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmë edhe një person që dyshohet se ka pasur rol të rëndësishëm lidhur me rastin e sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në komunikatën e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se është kontrolluar edhe shtëpia e të dyshuarit ku janë sekuestruar dëshmi dhe prova materiale.
“Në vazhdimësi të hetimeve lidhur me rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike, por edhe rasteve paraprake, nga njësitë relevante hetimore, në bashkëpunim edhe me njësitë tjera policore, me datën 01/12/2024 në orët e mbrëmjes, është arrestuar edhe një i dyshuar (J.V.), nën dyshimin që mund të ketë patur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike”, thuhet në komunikatë.
Aty janë gjetur katër granata dore, municion, radiolidhje, dylbi, dokumente e uniforma ushtarake.
I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, me vendim të prokurorit.
“Me urdhër të Prokurorit përgjegjës të Prokurorisë Speciale, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve. Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar që të angazhohet në zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien e personave përgjegjës para drejtësisë. Njëherit Policia e Kosovës iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, me qëllim të ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim”, thuhet në njoftimin e PK-së.