×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Sekuestrohet 1 kg kokainë me vlerë 270 mijë euro, arrestohen dy të rinj në Tiranë

    Reporteri
    09 Dhjetor 2024 | 19:28

    Dy persona janë arrestuar gjatë një operacioni antidrogë në Tiranë, ku gjatë aksionit u janë sekuestruar 1 kg e 50 gramë kokainë, me vlerë 270 mijë euro nëse do të shitej në treg.

    Njëri prej tyre është Klajdi Serjani, 24 vjeç, i cili rezulton të jetë nipi i Pajtim Serjanit, një personazh i njohur për blutë e Tiranës i dënuar më parë për gjobëvënie, i cili i ka shpëtuar një atentati në 2015, ndërsa njihet edhe si miku i Emiljano Shullazit.

    Ndërsa i arrestuari tjetër është Euxhenjo Manushi, 20 vjeç, djali i një muzikanti të muzikës tallava. Operacioni policor u kodua “Fam Fanz” për shkak të mbishkrimeve të njëjta mbi pakon me drogë, vlera e së cilës nëse hidhej në treg arrinte në 270 mijë euro.

    “Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve operacioni policor i koduar “Fam Fanz”, i ndjekur me metoda proaktive. Gjatë operacionit goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në qytetin e Tiranës. Sekuestrohen 1 kg e 50 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë (me vlerë tregu rreth 270 000 euro). Policia ka kapur në flagrancë 2 shtetasit që ushtronin këtë veprimtari kriminale. Vijon intensivisht puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal”, – njofton policia.

    Të rinjtë janë lokalizuar në rrugën “Kastriotët”, në automjetin me drejtues shtetasin Klajdi Serjani dhe pasagjer shtetasin Manushi.

    Gjatë kontrollit fizik të shtetasit Klajdi Serjani, shërbimet e policisë i gjetën 1 kg e 50 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

    Lënda narkotike, së bashku me një shumë parash dhe celularët e shtetasve të arrestuar, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

    Burime paraprake, bëjnë me dije se Klajdi Serjani, është nipi i Pajtim Serjanit, një prej personazheve të njohur të botës së krimit në kryeqytet, miku i Emiljano Shullazit, teksa në vitin 2015 i ka shpëtuar edhe një atentati me armë zjarri në “rrugën e Kavajës” në një lokal.

    Ai është arrestuar dhe dënuar për gjobëvënie me tre vite, ndërsa aktualisht është i lirë, pasi e ka përfunduar dënimin.

    Serjani u dënua për gjobëvënie ndaj një biznesmeni në vitin 2014. Në vitin 2015, Serjanit i është bërë atentat të “Rruga e Kavajës”, ndërsa lidhur me këtë ngjarje asokohe u arrestuan Aurel dhe Amarildo Hoxhallari.

    Serjani njihet si miku i Emiljano Shullazi, i dënuar dhe prej vitesh në burg për grup të strukturuar kriminal.

    Në shtator 2017, policia i sekuestroi Serjanit katër makina të blinduara më vlerë 1 milion euro. Tre prej makinave rezultuan të trafikuara nga vendet e BE, njëra prej të cilave me targa të falsifikuara.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!