×
  • Lajme
  • Lajme / Hallkat gjurmuese

    Kurti: Sistemi i mbikëqyrjes elektronike garanton mbrojtjen e viktimave të dhunës

    Reporteri
    10 Dhjetor 2024 | 13:16

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka prezantuar sot sistemin e hallkave për mbikëqyrje elektronike, i cili synon të rrisë sigurinë dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

    Sipas Kurtit, ky sistem do mundësojë reagim të shpejtë të Policisë në rastet kur dhunuesi shkel urdhrin mbrojtës duke iu afruar viktimës.

    ”Me sistemin e hallkave për mbikëqyrje elektronike, në rastet kur kryesi i dhunës i afrohet viktimës përkundër urdhrit mbrojtës, menjëherë do të lajmërohen niveli mbikëqyrës lokal dhe ai qendror i Policisë, duke u mundësuar atyre reagim efikas dhe në kohë. Kjo ka qenë një kërkesë e kamotshme e Policisë sonë, e cila me mbështetjen e Qeverisë sonë po plotësohet”, tha Kurti, në një postim në Facebook.

    Ai e cilësoi këtë hap si një domosdoshmëri për mbrojtjen e jetës së viktimave dhe parandalimin e dhunës në baza gjinore dhe familjare.

    Gjatë vizitës në Policinë e Kosovës, ku u demonstrua funksionimi i pajisjeve të monitorimit elektronik, kryeministri ishte i shoqëruar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha.

    ”Sot kemi bërë një hap jashtëzakonisht domethënës në zbatimin e urdhrave mbrojtës dhe në rritjen e sigurisë për viktimat”, shtoi Kurti.

    Kjo duke theksuar rëndësinë e këtij sistemi për parandalimin e rasteve të dhunës dhe për mbrojtjen e viktimave në baza gjinore.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!