×
  • Lajme
  • Lajme / Kritika ndaj kryeministrit

    Opozita për mosparaqitjen e Kurtit për intervistim: Sinjal i gabuar për qytetarët

    Reporteri
    16 Dhjetor 2024 | 15:15

    Opozita ka kritikuar Kryeministrin Albin Kurti për mosparaqitje për intervistim sot në Prokurorinë Speciale, ftesë kjo nga ky institucion që kreu i qeverisë e mori të enjten e 12 dhjetorit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Për opozitën, mosparaqitja e Kurtit është një sinjal i gabuar për qytetarët e Kosovës.

    Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë sot pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se ajo çfarë u pa sot është një mesazh i keq për qytetarët se si Kryeministri e tejkalon organin e akuzës.

    “Në radhë të parë është mesazh i keq për qytetarët se si e tejkalon kryeministri organin e akuzës dhe siç e dini që në bazë të Kushtetutës, pushtetet janë të ndara. Organi i akuzës është ai që ndalon keqpërdorimet dhe korrupsionin dhe me këtë rast organi i akuzës ka diçka për të sqaruar. Mendoj që është mesazh i keq ajo se çfarë u pa sot”, tha ai.

    Me atë që bëri Kurti, qytetarëve iu dërgohet mesazhi se mund ta anashkalojnë Gjykatën dhe Prokurorin, tha sot shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

    Sipas tij, ky veprim i Kurtit është element i sjelljes së VV-së.

    “Një çështje që mendoj se duhet ta komentojë është mosparaqitja e kryeministrit Kurti në Prokurorinë Speciale, sinjali që dërgohet është i gabuar. Qytetarëve të Kosovës iu dërgohet mesazhi nga kryeministri se ata mund të anashkalojnë Gjykatën dhe Prokurorinë, dhe kjo është element i sjelljes së Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Gashi sot.

    Ndërsa, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, theksoi se kryeministri Kurti duhet të respektojë ligjin.

    “Kryeministri nuk është mbi ligjin” deklaroi Kadrijaj, duke i bërë thirrje për qasje më të përgjegjshme ndaj institucioneve të drejtësisë.

    Prokuroria Specila sot deklaroi se ishin njoftuar nga Qeveria e Kosovës që Kryeministri Albin Kurti për shkak të agjendës së planifikuar më parë jashtë vendit, e kishte të pamundur paraqitjen e tij për intervistim.

    Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laura Kozmaqi tha para gazetarëve, se ende s’është caktuar një datë e re për intervistimin e kryeministrit.

    Në anën tjetër, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu tha për Gazetën Online Reporteri.net, se Kurti është shprehur i gatshëm që t’i presë në zyrë prokurorët e rastit, për ta intervistuar atë në ditën dhe orën e dakorduar mes palëve.

    “Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së prokurorisë. Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyren e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, thuhej në përgjigjen e Qeverisë për Reporteri.net.

    Ftesa e mbërritur të enjten në qeverinë e Kosovës për intervistim nga Prokuororia Speciale, sipas dokumentit, Kryeministri do të intervisohet për skandalin me Rezervat Shtetërore dhe se vepra penale për të cilën është ftuar hynë tek ato të korrupsionit zyrtar, saktësisht Neni 414 “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!