Ministri i Mbrojtës, Ejup Maqedonci ka përjashtuar mundësinë që fabrika për prodhimin e municionit, kontrata për të cilën u nënshkruar të hënën me kompaninë shtetërore turke të ndërtohet në Skenderaj, e cila ishte dikur në këtë qytet.
Arsye pse një gjë e tillë nuk do të ndodhë ai ka thënë se ish-fabrika është pjesë e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, projekt tjetër siç ka thënë ai me rëndësi për vendin.
Maqedonci në emisionin “InfoNata” në Tëvë1 ka thënë se janë duke analizuar për çështjen e lokacionit, i cili sipas tij do të bëhet i ditur me kohë.
“Është disktu mjaft kjo çështje e ish-fabrikës së municionit para viteve 90-ta në Skenderaj. Aktualisht është një projekt në rend rreth kompleksit të Jasharajve dhe fabrika është në kuadër të këtij kompleksi, pra është e destinuar për diçka tjetër atje. Prandaj edhe ne vlerësojmë që nuk duhet të pengojmë një projekt të tillë që është po aq i rëndësishëm…dhe jemi duke e analizuar çështjen e lokacionit”, ka thënë Maqedonci në Tëvë1.
Gjatë së hënës kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se ka nënshkruar kontratë me prodhuesin shtetëror turk “Makine ve Kimya Endustrisi”, që do të marrë përsipër funksionalizimin e fabrikës së municioneve.
Ai ka bërë me dije se në këtë kontratë, përveç makinerisë prodhuese përfshihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, si dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe për kalibrim.
Kurti ka thënë se me të filluar prodhimi, fabrika do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore.
“Sapo nënshkruam kontratë me prodhuesin shtetëror turk “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE), me të cilën po vendosim themelet e industrisë sonë të mbrojtjes. MKE merr përsipër ta vë në funksion fabrikën e municioneve e cila do të shërbejë për prodhimin e kalibrave të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s.
Në këtë kontratë, përveç makinerisë prodhuese përfshihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, si dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe për kalibrim. Me të filluar prodhimi, fabrika do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore”, ka shkruar Kurti.