×
  • Lajme
  • Lajme / Në nivel kryenegociatorësh

    Sot mbahet rundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi

    Reporteri
    17 Dhjetor 2024 | 8:51
    Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi (në të djathtë), me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, dhe në mes ndërmjetësuesi i BE-së,Mirosllav Lajçak. Foto: Reporteri

    Bashkimi Evropian ka caktuar të martën e 17 dhjetorit si datë takimi në nivel kryenegociatorësh në Bruksel.

    Kosova përfaqësohet nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ndërsa Serbia nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Nuk dihet nëse do të ketë takim trepalësh.

    Takimi i fundit në Bruksel ishte ai i 24 tetorit, mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin kryenegociatori Besnik Bislimi kishte thënë se rezultoi pa sukses për gjetjen e mënyrave për zbatimin e marrëveshjeve në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

    Qeveria e Kosovës kishte njoftuar se Bislimi në takim kishte përmendur nevojën për nënshkrimin e marrëveshjeve, si garanci për zbatim të saj, nevojën për tërheqjen e letrës së deponuar nga Serbia përmes ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimin e kryekriminelit dhe terroristit Millan Radoiçiq nga ana e Serbisë, si kryesi i aktit terrorist të Banjskës.

    Sipas Qeverisë, në takimin bilateral ishin trajtuar një mori temash, ndërsa në takimin trilateral, temë e diskutimit ishte e paraparë sipas agjendës rruga përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit.

    Për takimin e 24 tetorit, emisari sllovak, Miroslav Lajçak kishte thënë se “nuk pati hapa përpara drejt zbatimit të Marrëveshjes”, por që ishte “optimist për disa çështje të tjera”.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!