×
  • Lajme
  • Lajme / Detajet

    Gjuajta me armë në drejtim të zyrtarit policor mbrëmë në Pejë, reagon Sindikata e Policisë

    Reporteri
    18 Dhjetor 2024 | 11:30

    indikata e Policisë së Kosovës ka reaguar për rastin mbrëmë në Pejë, ku në drejtim të një polici u qëllua me armë, gjë për të cilën ky institucion ka shprehur shqetësimin për incidentin dhe e ka cilësuar si “akt kriminal e të papranueshëm” jo vetëm ndaj PK-së por “sulm të drejtpërdrejtë” ndaj Institucioneve të rendit dhe sigurisë publike.

    “Shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë për incidentin e rëndë ku një veturë me targa vendore ka tentuar ta godasë një zyrtar policor në detyrë. Zyrtari policor, për fat të mirë, ka arritur t’i shmanget goditjes nga kjo veturë, ndërkohë që i dyshuari, gjatë lëvizjes, ka shtënë me armë zjarri nga dritarja e automjetit. Falë reagimit të shpejtë dhe profesional të Policisë së Kosovës, i dyshuari është arrestuar dhe aktualisht po përballet me procedurat ligjore. Ky akt kriminal dhe i papranueshëm nuk përbën vetëm një sulm ndaj zyrtarit policor, por një sulm të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, rendit dhe sigurisë publike”, thuhet në njoftim.

    Sindikata në komunikatën për media ka bërë thirrje për ndëshkueshmërinë e autorit me dënimin maksimal.

    “Sindikata i bën thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë me vendosmëri, duke siguruar që autori i këtij akti të përballet me dënimin maksimal që parashikon ligji. Sulmet ndaj zyrtarëve policorë nuk duhet të tolerohen dhe duhet të trajtohen me prioritet për të dërguar një mesazh të qartë se ligji dhe rendi janë të pacenueshëm. Zyrtarët policorë janë shtylla e sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjes së institucioneve të shtetit. Policia e Kosovës është në shërbim të qytetarëve dhe Republikës së Kosovës, dhe çdo akt dhune ndaj saj duhet të dënohet fuqishëm nga të gjithë. Sindikata qëndron e palëkundur në përkrahje të çdo anëtari të Policisë së Kosovës dhe do të vazhdojë të kërkojë drejtësi dhe siguri maksimale për zyrtarët tanë”, thuhet në reagimin e Sindikatës së Policisë së Kosovës.

    Zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi tha mbrëmë për Gazetën Online Reporteri.net se zyrtari policor kishte qenë duke kaluar rrugën, kur në drejtim të tij është qëlluar dy herë me armë zjarri.

    “Zyrtari policor sapo kishte dalë nga stacioni policor dhe ishte duke kaluar rrugën në zebra, kur nga një veturë është qëlluar dy herë me armë zjarri në drejtim të tij. Për fat të mirë, ai ka shpëtuar pa lëndime”, ka thënë Gashi.

    Lidhur me rastin, personi i dyshuar është arrestuar qysh mbrëmë, pak pasi ndodhi rasti.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!