×
  • Lajme
  • Lajme / Fb

    Njohja e pasaportave nga Armenia, Kurti: Pasaporta jonë sa vjen e bëhet më e fuqishme dhe më e njohur ndërkombëtarisht

    Reporteri
    20 Dhjetor 2024 | 18:36

    Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas vendimit të Armenisë për të njohur pasaportën e Republikës së Kosovës, duke thënë se pasaporta e vendit “sa vjen e bëhet më e fuqishme dhe më e njohur ndërkombëtarisht”, shkruan Reporteri.net.

    Kurti ka uruar qytetarët për këtë vendim, teksa ka përgëzuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zyrtarët shtetërorë, që siç ka thënë, po punojnë çdo ditë për forcimin e shtetsësisë.

    “Pasaporta jonë sa vjen e bëhet më e fuqishme dhe më e njohur ndërkombëtarisht. Pas liberalizimit të vizave dhe njohjes së pasaportës nga Spanja në muajin janar, vitin po e përmbyllim me lajmin që edhe Armenia, një shtet që ende nuk na njeh, nga sot ka vendosur të njohë pasaportën e republikës sonë.

    Urime qytetarëve dhe përgëzime Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zyrtarëve shtetërorë që punojnë çdo ditë për forcimin e shtetësisë sonë”, ka shkruar Kurti.

    Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka njoftuar se nga sot pasaporta e Republikës së Kosovës do të njihet zyrtarisht edhe nga shteti i Armenisë.

    Ahmeti ka thënë se Armenia njeh zyrtarisht të gjitha pasaportat e Kosovës, përfshirë ato të zakonshme, diplomatike e zyrtare.

    “Pasaporta e Republikës së Kosovës vazhdon të fuqizohet.Nga sot, Armenia njeh zyrtarisht të gjitha pasaportat e Kosovës, duke përfshirë ato të zakonshme, diplomatike dhe zyrtare.Ky është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve dhe marrëdhënieve ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve të të dyja vendeve”, ka shkruar Ahmeti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!