×
  • Lajme
  • Lajme / Ekonomi

    “Skemë e korrupsionit publik”, “lëmoshë”, reagimet nga LDK pasi Qeveria ndau 100 euro për fëmijë dhe pensionistë

    Reporteri
    22 Dhjetor 2024 | 16:36

    Partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar fuqishëm pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media bashkë me Ministrin e Financave, Hekuran Murati, ka thënë se do të ndajnë nga 100 për fëmijët deri në 16 vjeç si dhe për pensionistët, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    LDK ka bërë një reagim zyrtar ku ka premtuar se kur të vije në pushtet koeficienti i pagave do të jetë 150 euro, që do të thotë rritje e pagave prej 200 euro për të gjithë shërbyesit publik qysh në javën e parë të mandatit.

    “Vizion në javën e parë të mandatit, apo panikë në muajt e fundit?Ky pra është dallimi. Sepse LDK e ka programin dhe zotimin e qartë: koeficient të pagave 150 euro – që do të thotë rritje mesatare e pagës për 200 euro – për të giithë shërbyesit publik në javën e parë të mandatit, dhe zgjidhje të qëndrueshme që i përgjegjen vështirësive dhe nevojave të përditshme të qytetarëve”, thuhet në reagimin e LDK-së.

    Sipas LDK-së ky është dallim i madh me “lëmoshën e dhënë në fundvit” nga qeveria Kurti, e cila sipas tyre nuk mjafton as për të paguar rrymën.

    “Kjo ka dallim të madh me lëmoshën e dhënë në fund të vitit e cila nuk mjafton as për ta paguar rrymën në këtë dimër. Sepse kjo që pamë sot nga kjo qeveri nuk është asgjë më shumë se shenjë e panikës dhe mungesë e vizionit nga një udhëheqësi e dështuar e cila nuk ka implementuar asgjë të qëndrueshme në 4 vite qeverisje”, thuhet në reagim.

    LDK thotë se qytetarët janë lodhur nga qeverisja e paaftë dhe këtë sipas tyre po e tregojnë çdo ditë e më shumë dhe se “po e duan ndryshimin”.

    “Qytetarët janë lodhur nga qeverisja e paaftë, dhe ata po na e tregojnë çdo ditë se ata duan ndryshim, dhe e duan atë menjëherë! E këtë ndryshim, me mirëqenie, mundësi e paga të mjaftueshme për të gjithë – dhe atë gjatë tërë vitit, do ta sjell vetëm LDK nën udhëheqjen e Dr. Lumir Abdixhikut dhe ekipit tonë profesionist. Bashkë me qytetarët e vendit do të bëhemi ndryshimi i domosdoshëm për Kosovën”, shkruan LDK.

    Poashtu kanë reaguar edhe deputetë të LDK-së.

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami përmes një reagimi në Facebook ka thënë se shpërndarja e buxhetit në kohë fushate është skemë e korrupsionit publik, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Bajrami thotë qeveria e ka futur buxhetin e shtetit në “thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota”.

    Sipas saj kjo qeveri e cila siç thotë ajo e ka dyfishu çmimin e rrymës e poashtu edhe tatimin në pronë, i ka fy sindikatat e i ka lënë ushtrinë pa bukë, sot me para të taksapaguesve po tenton me ble vota.

    “Qeveria e cila investimet kapitale në vitin 2024 i ka më të ulëta se në vitin 2017 e 2018, e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota. Qeveria e cila gjatë mandatit i ka dyfishu faturat e energjisë elektrike, e ka dyfishu tatimin në pronë, i ka poshtru shërbyesit civilë, i ka fy sindikatat, e ka dëtyru njësinë elitare të Policisë me dalë në protestë, i ka mbetë ushtria pa bukë e policët pa këpuca, i ka maltretu prindërit dy vite radhazi me blerjen e librave, qeveria në mandatin e së cilës janë rritë çmimet si kurrë më pare, sot me para të taksapagusëve po tenton me ble vota”, ka shkruar deputetja e LDK-së.

    Edhe deputetja e LDK-së Doarsa Kica-Xhelili ka reaguar, duke e quajtur “Mjaltë për blerje votash”, veprimin e qeverisë.

    “Mjaltë për blerje votash, 100 euro. ~ Qeveria”, ka shkruar ajo.

    Ka reaguar edhe anëtari i LDK-së, Berat Rukiqi i cili tha se kjo nuk është “asgjë e re”, dhe se qeveria në panik po vazhdon përdorimin e parasë publike për blerje të votave.

    Sipas tij, një gjë e tillë është keqpërdorim eklatant i parasë publike që nuk ndihmon e as nuk zhvillon.

    “Asgjë e re. Qeveria në panik, vazhdon përdorimin e parasë publike, për blerje të votave.
    Ky është keqpërdorim eklatant i parasë publike, që as nuk ndihmon, e as nuk zhvillon. Të njejtat para, me automatizëm, do të shkojnë në faturat e shtrenjta të energjisë elektrike”, ka shkruar Rukiqi. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!