Ndonëse detyrohen me ligj, ndërmarrjet publike në Kosovë nuk kanë arritur të emërojnë burra dhe gra në mënyrë proporcionale në pozitat e larta udhëheqëse. Dallim i lartë vërehet edhe në pozitat administrave, si dhe ato në terren – sërish dominojnë burrat.
Sipas një infografike të publikuar nga Radio Evropa e Lirë, në pozitat e larta udhëheqëse në KRU Mitrovica, gjatë vitit të kaluar, 75 përqind kanë qenë gra. Përqindje e njëjtë ka qenë edhe në vitin 2022, derisa në 2021’ën, përqindja ka qenë 50.
Te KRU Radoniqi-Dukagjini, 60 përqind janë gra. Në vitin 2022, kjo përqindje ishte 40, derisa në 2021’ën, ishte 60 përqind.
Në KRU Bifurkacioni dhe KRU Gjakova, përqindja e grave të emëruara në pozita të larta udhëheqëse është 50.
Tek Trepça janë 46 përqind, në Ibër-Lepenc janë 36 përqind gra, në KRU Drini i Bardhë 29 përqoind, në Telekom po ashtu 29 përqind. Përqindje e vogël e grave në pozita udhëheqëse është edhe të ndërmarrjet si Infrakos, Trainkos, KRU Hidromorava, Postën e Kosovës, Kompaninë për Menaxhimin e Deponive dhe KRU Prishtina. Nepër këto ndërmarrje, përqindja e grave është nga 15 deri në 27 përqind. Në Infrakos, në vitin 2022 dhe 2021, përqindja e grave në pozita udhëheqëse ishte zero. Njëjtë edhe në Kompaninë për Menaxhimin e Deponive.
Ndërkohë, më së paku gra ka në KEK dhe KRU Hidroregjioni Jugor. Përqindja e grave në menaxhmentin e këtyre ndërmarrjeve është 14 përqind.