Bashkimi Evropian ka thënë se procesi zgjedhor në Kosovë duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike, duke theksuar se pret që roli i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve “të sigurojë procesin me të gjitha mekanizmat e aplikueshëm”.
BE-ja në një deklaratë të lëshuar sot, ka thënë se Kosova dhe qytetarët e saj gëzojnë një demokraci të gjallë, moscertifikimi i një partie politike për shkak të “konsideratave politike dhe jo procedurave ligjore” do të ishte një pengesë serioze.
“BE-ja dhe shtetet anëtare të saj kanë nënvizuar në konkluzionet e Këshillit të 17 dhjetorit zhvillimet pozitive në Kosovë sa i përket kornizës zgjedhore, bazuar në rekomandimet e BE-së, para zgjedhjeve të 9 shkurtit. Përderisa Kosova dhe qytetarët e saj gëzojnë një demokraci të gjallë, moscertifikimi i një partie politike për shkak të konsideratave politike dhe jo procedurave ligjore do të ishte një pengesë serioze.
Të gjithë kandidatët e kualifikuar duhet të kenë mundësinë të marrin pjesë në zgjedhje të lira dhe të ndershme, në përputhje të plotë me ligjin e Kosovës”, thuhet në deklaratë.
BE-ja tutje thotë se procesi i certifikimit duhet të bazohet në standarde dhe procedura ligjore në përputhje me ligjin në fuqi, dhe jo në konsiderata politike.
“Presim që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), roli i të cilit në mbikëqyrjen e zgjedhjeve është vendimtar, të sigurojë tani me të gjitha mekanizmat e aplikueshëm një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent, duke u mundësuar votuesve kosovarë që të shprehin qartë zgjedhjet e tyre. Përgjegjësia për të ruajtur garancitë demokratike është e të gjithë anëtarëve të KQZ-së, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike. Një çështje e tillë themelore nuk duhet të politizohet dhe të përdoret si zë në fushatën elektorale”, thuhet në deklaratën e BE-së.
Kujtojmë se Gjykata Supreme e Kosovës gjatë ditës së sotme ka njoftuar se ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Të premten e 27 dhjetorit, VV-ja dorëzoi ankesë në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që urdhëroi KQZ-në ta certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Përfaqësuesit e partisë në pushtet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë votuar kundër certifikimit të Listës Serbe, gjatë një mbledhjeje të mbajtur më 23 dhjetor.
Më 25 dhjetor, PZAP-ja aprovoi ankesën e Listës Serbe ndaj vendimit të KQZ-së për të mos ta certifikuar atë.
Sipas arsyetimit të këtij mekanizmi, Lista Serbe me aplikimin e saj për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit kishte plotësuar të gjitha kriteret ligjore të kërkuara./Reporteri.net/
Supremja hedh poshtë ankesën e VV-së ndaj PZAP-së për certifikimin e Listës Serbe