×
  • Lajme
  • Lajme / "x"

    Polonia merr edhe zyrtarisht kryesimin e Presidencës së BE’së për gjashtë muajt e ardhshëm – siguria prioritet kryesor

    Reporteri
    03 Janar 2025 | 13:34

    Polonia e ka marrë edhe zyrtarisht kryesimin e Presidencës së Bashkimit Evropian për gjashtë muajt e ardhshëm. Paraprakisht, kryesimin e ka pasur Hungaria, shkruan Reporteri.net.

    Për këtë ka njoftuar Këshilli Evropian, përmes një postimi në faqen zyrtare në platformën “X”, ku është publikuar një foto e banerit të vendosur në objekt ku shkruhet “Presidenca polake e Këshillit të Bashkimit Evropian”.

    Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, në mesazhin e tij, ka deklaruar se siguria do të jetë prioriteti kryesor i tyre.

    “Ne do të zbatojmë një politikë sigurie të përbashkët, të planifikuar me kujdes, duke i ofruar Ukrainës mbështetjen e nevojshme. Kjo mund të arrihet vetëm së bashku. Qëllimet tona themelore janë të lidhura me sigurinë e qytetarëve tanë, kombeve dhe Bashkimit Evropian në tërësi. Ky është lloji i sigurisë që fillon në shtëpi për çdo evropian dhe shtrihet deri në kufijtë e jashtëm të BE-së. Ne duhet të punojmë për të forcuar kufijtë e Bashkimit dhe për të kundërshtuar instrumentalizimin e migracionit. Solidariteti është thelbësor. Ne e kuptojmë se siguria e përbashkët nuk ka të bëjë vetëm me rritjen e aftësive mbrojtëse të Evropës, por edhe me sigurimin e konkurrencës, pavarësisë energjetike dhe sigurisë ushqimore”, ka deklaruar Tusk.

    Ndryshe, Polonia ka vendosur që të mos e ftojë ambasadorin e Hungarisë në ngjarjen për nisjen e Presidencës polake të Bashkimit Evropian. Kjo pasi Budapesti i dha azil politik një ish-zëvendësministri i cili po hetohet për dyshimet për keqpërdorim të fondeve publike, tha një zyrtare e lartë.

    Tusk ka qenë një kritik i Orbanit për qëndrimin e tij lidhur me luftën në Ukrainë, por edhe për politikat që Polonia i konsideron proruse. Orban i ka thënë një media hungareze se Qeveria e Tuskut i konsideron hungarezët armiq.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!