×
  • Lajme
  • Lajme / Siguria

    KFOR-i e përsërit thirrjen që vendimi për Urën e Ibrit të merret në dialog: Hapja e saj në këtë kohë mund të rrisë tensionet

    Reporteri
    04 Janar 2025 | 21:06

    Komandanti i KFOR-it, gjenerali italian Enrico Barduani, ka thënë se hapja e Urës së Ibrit në këtë kohë do të rrezikonte jetën e ushtarëve të misionit që ai e drejton.

    Barduani tha se vendimi për hapjen e urës duhet të merret në kuadër të dialogut në Bruksel.

    “Sa i përket urës në lumin Ibër, qëndrimi i NATO-s dhe KFOR-it ishte i qartë, transparent dhe konsistent. Për shkak të çështjeve të pazgjidhura politike, hapja e urës në këtë kohë do t’i ekspozonte ushtarët e KFOR-it dhe komunitetin lokal ndaj një rreziku të papranueshëm dhe të panevojshëm të dhunës. Vendimet për hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë duhet të merren përmes dialogut dhe koordinimit në kohë dhe efektiv me bashkësinë ndërkombëtare dhe KFOR-in”, tha ai në këtë intervistë.

    Duke folur për sigurinë, Barduani tha se situata në terren është e qetë, por mbetet e brishtë.

    “Ndonëse nuk do të spekuloj për skenarë të mundshëm në të ardhmen, mund t’ju siguroj se KFOR-i është duke monitoruar vazhdimisht të gjitha ngjarjet që mund të ndikojnë në sigurinë në Kosovë dhe më gjerë në rajon. KFOR-i është i pajisur mirë dhe i pozicionuar për të parandaluar përshkallëzimin dhe për t’iu përgjigjur çdo situate të sigurisë, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së. Prandaj, ne do të vazhdojmë të sigurojmë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, deklaroi komandanti i KFOR-it.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!