×
  • Lajme
  • Lajme / Fotografi

    Kallxo: Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi urojnë në shtëpinë e të dyshuarit për korrupsion në Brezovicë

    Reporteri
    08 Janar 2025 | 23:35

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ai i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë publikuar fotografi gjatë një vizite me rastin e festës së fundit me njërin prej njerëzve që po hetohet për korrupsion në Brezovicë.

    Sasha Iliq është personi që po hetohet për korrupsion si pjesë e grupit të Branisllav Nikoliqit të Listës Serbe, të cilët akuzohen nga Prokuroria se zhvatën miliona euro nga investitorët ilegalë në Brezovicë, shkruan Kallxo.com.

    Nga viti 2015 e tutje, Branisllav Nikoliq, njëri nga njerëzit më të fuqishëm të Listës Serbe në Shtërpcë, ishte përfshirë në njërën nga aferat më të mëdha të korrupsionit në Kosovë.

    Ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës pretendohet se u dha leje ilegale kompanive me pronarë shqiptarë, të cilët ndërtonin në këtë zonë ilegalisht.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ai i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, vendosën ta vizitonin familjen e njërit prej bashkëpunëtorëve të Nikoliqit, Sasha Iliq, i cili hetohet se mori para dhe i dërgoi te grupi i Nikoliqit të Listës Serbe.

    Sveçla, në postimin e tij të datës 07.01.2025 (arkivi), njoftoi se ka takuar familjen Iliq dhe publikoi fotografi në të cilën shihet duke uruar të pandehurin Sasha Iliq.

    Prokurori  Rasim Maloku ka konfirmuar se personi me emrin Sasha Iliq është person që hetohet për korrupsion në aferën “Brezovica”.

    Maloku ka treguar se çështja ndaj Iliqit është duke u hetuar dhe hetimet do të përfundojnë diku kah mesi i vitit 2025.

    Iliq ishte arrestuar më 16.03.2022 nën dyshimin për marrje ryshfeti në lidhje me rastin “Brezovica”.

    Sipas dosjes së Prokurorisë,  Iliq dyshohej se nga viti 2010 në Shtërpcë kishte ndihmuar personin zyrtar në kryerje të veprës penale të marrjes së ryshfetit.

    Ai dyshohej se në cilësinë e zyrtarit në Komunën e Shtërpcës ka ndërmjetësuar në marrjen e parave në shuma nga 10 mijë euro deri në 30 mijë euro nga personat fizikë e juridikë për t’ua mundësuar ndërtimin në Parkun Kombëtar “Sharri”, vikend- zona e Brezovicës, në kundërshtim me Ligjin për Ndërtimin, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin për Ujërat e Kosovës dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, kurse me paratë që i ka marrë si ryshfet, kanë blerë prona të paluajtshme në vikend-zonën bashkë me të pandehurin, ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, prona këto të cilat janë regjistruar në emër të të pandehurit Sasha, me qëllim që të fshihen nga zbulimi dhe konfiskimi.

    Ndaj Iliqit Gjykata e Ferizajt kishte vendosur edhe masën e sigurisë, atë të paraburgimit, për veprat penale marrje ryshfeti në ndihmë.

    Kallxo.com ka kontaktuar me ministrin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në lidhje me vizitën tek i dyshuari për korrupsion.

    “Jo, është e para herë që po dëgjoj nga ana juaj në lidhje me këtë çështje. Sinqerisht nuk mund të them asgjë tjetër. Tash, prej juve po e dëgjoj këtë. Asnjë informacion nuk e kemi pasur apo marrë. Tash po e dëgjoj për herë të parë nga ana juaj. Unë ju thash se për shkak të festës së Krishtlindjeve ortodokse ne kemi qenë në Shtërpcë, jemi pritë nga dy familje dhe në lidhje me këto pretendimet e juaja, unë për herë të parë po dëgjoj tash, këtu, nga ju, në lidhje me këtë çështje.”- tha Krasniqi përmes telefonit.

    E ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, nuk i është përgjigjur telefonatës dhe kërkesës  për të sqaruar këtë çështje.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!