×
  • Lajme
  • Lajme / Zgjedhjet e 9 shkurtit

    Fillon periudha e votimit jashtë Kosovës

    Reporteri
    09 Janar 2025 | 7:27

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se ka filluar periudha e votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës dhe që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi.

    Kjo periudhë (9 janar – 8 shkurt 2025) do të vlejë vetëm për shtetasit që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe që gjatë regjistrimit janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit:duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

    “Shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar për të votuar fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, njoftohen se procesi i votimit do të mbahet më 8 shkurt 2025”, njofton KQZ.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar individualisht të gjithë votuesit e regjistruar për të votuar përmes postës për procedurën e votimit.

    Të gjithë shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar sipas kësaj mënyre, adresat e kutive postare të KQZ-së jashtë Kosovës, por edhe të kutisë postare të KQZ-së në Kosovë, mund t’i gjejnë këtu.

    “Të gjithë shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar përmes postës, për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë ose në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, duhet të ndjekin udhëzimet e KQZ-së për votimin përmes postës”, njofton KQZ.

    Si duhet të votoni?

    Të gjithë shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar përmes postës, për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë ose në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, duhet të ndjekin udhëzimet e KQZ-së për votimin përmes postës.

    Hapi 1: Plotësoni fletëvotimin
    1. Shkarkoni dhe printoni fletëvotimin.
    2. Në anën e majtë të fletëvotimit janë të renditura subjektet politike. Zgjidhni vetëm një subjekt politik.
    3. Në anën e djathtë, mund të votoni deri në dhjetë kandidatë.
    4. Pasi të plotësoni fletëvotimin:
    Paloseni fletëvotimin, vendoseni brenda zarfit dhe mbylleni zarfin.
    Mos shkruani asgjë mbi zarf!
    Hapi 2: Dërgoni fletëvotimin
    1. Printoni dëftesën e regjistrimit që e keni pranuar përmes email-it gjatë periudhës së regjistrimit.
    2. Brenda zarfit të dytë, vendosni:
    Zarfin e mbyllur me fletëvotimin e plotësuar.
    Dëftesën e regjistrimit.
    3. Mbi zarfin e dytë:
    Shënoni adresën e kutisë postare të KQZ-së (bashkangjitur në këtë email gjeni adresat e kutive postare të KQZ-së).
    Vendosni një pullë postare.
    4.Dërgojeni zarfin në postën më të afërt të shtetit ku jetoni.
    Kujdes! Që fletëvotimi juaj të jetë i vlefshëm:
    Dërgesa duhet të jetë individuale (nuk mund të përfshini fletëvotime për anëtarët e familjes apo persona të tjerë).
    Zarfi duhet të ketë pullën postare dhe të dërgohet nga shteti ku jeni regjistruar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!