Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka pritur në takim kandidatin për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Edon Cana, të cilit i ka dhënë mbështetje për zgjedhjet e 9 shkurtit, duke theksuar se ka përvojën e duhur për temat e rëndësishme të cilat janë përgjegjësi e Kuvendit të Kosovës.
Lladrovci shton Edon Cana posedon vlerat për një Kosovë më të mirë, “ndaj dhe vota për të, është për më mirë”.
“Miku im, Edoni, është kandidat i Listës fituese të PDK-së për zgjedhjet nacionale të 9 Shkurtit. Ai ka kompetencën dhe përvojën e duhur, për temat e rëndësishme që janë përgjegjësi e Kuvendit të Kosovës. Prania e tij aty, si zë i qytetarit dhe interesit nacional, është e mirëseardhur. Edon Cana, disponon vlerat për synimin e përbashkët, për Kosovën ma mirë, me Bedri Hamzën kryeministër, andaj, vota për të, do të jetë votë për më mirë, për Kosovën ma mirë. Suksese miku im, Edon. Kosova mundet ma mirë”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.
Për takimin, ka folur edhe vet kandidati për deputet i PDK-së, i cili e ka falënderuar Lladrovcin për mbështetjen për zgjedhjet e 9 shkurtit, si dhe ka bërë të ditur se bashkë kanë biseduar për sfidat dhe mundësinë që e presin vendin, për ta bërë një Kosovë më të mirë.
“Pata kënaqësinë të takohem me mikun tim të nderuar, kryetarin e Drenasit, z. Ramiz Lladrovci. Falenderoj kryetarin për mikpritjen dhe mbështetjen e tij të jashtëzakonshme. Bashkë biseduam për sfidat dhe mundësitë që na presin dhe ndamë vizionin tonë për një Kosovë ma të mirë”, ka shkruar Cana në Facebook.