Presidentja Vjosa Osmani, në ceremoninë përkujtimore në 26-vjetorin e Masakrës së Reçakut, ka thënë se Reçaku nuk është vetëm një tragjedi që lidhet me këtë fshat dhe banorët e tij, por është dëshmi e vuajtjeve të gjata të popullit tonë.
Osmani tha se Ambasadori William Walker i dha zë të vërtetës e vuajtjeve të popullit tonë.
“Në një ditë të zymtë të janarit të vitit 1999, 45 banorë të Reçakut ndër të cilët burra, gra të moshuar u masakruan nga regjimi gjenocidal i Serbisë duke shpërfaqur fytyrën e egër të gjenocidit dhe shtypjes. Reçaku nuk është vetëm një tragjedi që lidhet me këtë fshat dhe banorët, është një dëshmi e vuajtjeve të gjata të popullit tonë. Pamjet e asaj masakre që tronditën botën dhe preken ndërgjegjen ndërkombëtare, krejt kjo në saj të mikut tonë të madh amasadorit Wiliam Walker, i cili me guxim dhe përkushtim i dha zë të vërtetës së pamohueshme të vuajtjeve të popullit tonë”, ka deklaruar Osmani.
Osmani tha se kur njerëzit e Reçakut masakroheshin, propagandën për arsyetimin e masakrave të tilla e bënte Vuçiq.
“Sot, po i njëjti nën petkun e presidentit të Serbisë vazhdon ta mohoj masakrën e Reçakut, e mohon atë që bota e pa me sytë e vetë e quan Millosheviqin njeri të madh me qëllime të mira. Dhe si propagandues që është në njërën anë, flet për paqe, e në anën tjetër dërgon forca të veta paramilitare terroriste për ta sulmuar Kosovën. Por, sikurse në vitet e 90-ta njësoj edhe sot Kosova ka djem e vajza që i dalin zot atdheut dhe e mbrojnë çdo pëllëmbë të saj”, ka deklaruar Osmani.