×
  • Lajme
  • Lajme / Bruksel

    Dështimi i takimit të përbashkët, Lajçak: Kosova prezantoi prioritetet e saj, Serbia s’mori pjesë për shkak të zhvillimeve në Kosovë

    Reporteri
    15 Janar 2025 | 16:20

    I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ka folur për dështimin e takimit të parë në Bruksel të Komisionit të Përbashkët për Personat e Pagjetur, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në një postim të bërë në platformën “X”, Lajçak ka thënë se ka takuar veçmas të dyja palët.

    Në takim me palën kosovare, Lajçak ka thënë se ata i kanë prezantuar prioritetet e tyre, ndërsa Serbia s’ka marrë pjesë në takimin e përbashkët “për shkak të zhvillimeve në Kosovë”.

    “Sot synuam të mbajmë mbledhjen e parë të Komisionit të Përbashkët për Persona të Zhdukur në nivel deputetësh. Jam takuar veçmas me të dyja palët. Kosova prezantoi prioritetet e saj. Serbia ka njoftuar për mospjesëmarrje në një takim të përbashkët për shkak të zhvillimeve në Kosovë”, ka shkruar Lajçak në “X”.

    Edhe mediat në Serbi raportuan se pala serbe është larguar nga takimi për shkak të aksionit të sotëm kundër strukturave paralele në veri.

    Për dështimin e takimit të përbashkët, foli edhe Kryetari i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Andin Hoti i cili tha se ishte Petar Petkoviq ai i cili e ka orkestruar dështimin e sotëm të këtij takimi.

    Hoti tha se arsyetimi i Serbisë për mospjesëmarrje në takim, përveç që banal, është edhe i dëmshëm për procesin e zbardhjes se fatit të personave të zhdukur dhe nuk ka të bëjë asgjë me temën që sot janë thirrur në Bruksel.

    Ngritja e këtij komisioni është bërë në bazë të një marrëveshjeje të arritur vitin e kaluar në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.

    Në dhjetor të vitit të kaluar, pas takimit mes Kryenegociatorëve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq kishin rënë “dakord në Bruksel për termat e referencës për krijimin e Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në bazë të Deklaratës për Personat e Zhdukur të miratuar nga presidenti i Serbisë Alleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 2 maj 2023”.

    Komisioni i Përbashkët do të monitorojë dhe mbështesë Kosovën dhe Serbinë në avancimin e bashkëpunimit të tyre nën Grupin Punues për Personat e Zhdukur të kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK).

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!