Deputetja e LDK’së, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ka qenë ide e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por se pastaj pas koalicionit VV-LDK në vitin 2019, është përfshirë në një plan-program të përbashkët.
Në një intervistë për emisionin “Spotlight”, prodhim i Gazetës Online Reporteri.net, Kica-Xhelili ka drejtuar akuza në drejtim të pushtetit, duke thënë se ideja e tyre ka qenë që Byroja të përdoret si levë shantazhi në rast të zgjedhjeve.
“Byroja në sytë e tyre nuk ka qenë për konfiskim të pasurisë të pajustifikueshme. Ka qenë levë shantazhi në rast të zgjedhjeve”, ka deklaruar Kica-Xhelili.
Sipas saj, këtë e dëshmon edhe shuma e caktuar prej 25 mijë euro.
“Po të doje të përndjekje milionat, s’do ta lije 25 mijë euro vlerën. Do ta lije aq sa ta merr mendja që potencialisht kanë mujt me i vjedh, ata që mund të dyshojmë që kanë marrë të holla prej arkës së shtetit, që kanë dukshëm pasuri më të madhe se që kanë pas të hyra dhe s’kanë as kredi…”, ka thënë Kica-Xhelili.