×
  • Lajme
  • Lajme

    Jepet fjala përfundimtare në gjykimin ndaj të akuzuarit për sulm të vëllait shkaku i problemeve pronësore

    Reporteri
    23 Janar 2025 | 9:08

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku Xhevdet Sheqiri akuzohet se ka sulmuar vëllanë e tij.

    Fillimisht në këtë seancë u administruan pamjet e video-incizimeve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    I dëmtuari Mustafë Sheqiri, para gjykatës propozoi edhe disa prova të reja, për të cilat pas marrjes se mendimit nga prokurori i rastit Blerim Igrishta dhe mbrojtja e të akuzuarit Sheqiri, gjyqtari i rastit Dibran Jusufi, nuk miratoi propozimin për prova të reja, me arsyetimin se të njëjtin refuzim do ta arsyetoj me aktgjykim,

    Tutje, në mbrojtjen e tij, i akuzuari Xhevdet Sheqiri deklaroi se nuk kishte qenë qëllim i tij as dëmtimi e as kërcënimi i të njëjtit.

    I pyetur nga gjyqtari Jusufi se cila është zanafilla e problemit me të dëmtuarin, ai u shpreh se ka diku rreth 15 vite që kanë probleme pronësore.

    Në fjalën përfundimtare, prokurori Igrishta, deklaroi se mbetet pranë aktakuzës dhe kërkoi nga gjykata që të akuzuarin ta shpallë fajtorë dhe t’i shqiptojë dënim meritor.

    Tutje, mbrojtja e të akuzuarit Xhevdet deklaroi se në këtë rast nuk kemi asnjë element të veprës penale, duke kërkuar nga gjykata që të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza.

    Ndryshe sipas aktakuzës së ngritur më 14 maj 2020, i pandehuri Xhevdet Sheqiri me datë 9 prill 2020, në Fushë Kosovë, pas një mosmarrëveshje me tani të dëmtuarin Mustafë Sheqiri rreth punimeve në oborrin e shtëpisë së tyre ku i dëmtuari kishte qenë duke punuar, i pandehuri me dashje fillimisht ka hipur në veturën e tij dhe është nisur në drejtim të dëmtuarit i cili po qëndronte së bashku me bashkëshorten e tij ulur në tavolinë dhe kishte goditur tavolinën dhe karriget, deri sa i dëmtuari së bashku me bashkëshorten e tij kishin arritur të largohen nga aty.

    Me këtë, i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 184, par.1 të Kodit Penal.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!