×
  • Lajme
  • Lajme / Procesi gjyqësor

    Rigjykimi në Bruksel ndaj tre serbëve për vrasjen e veprimtarit Enver Hadri, dëshmon edhe një dëshmitar i Prokurorisë

    Reporteri
    24 Janar 2025 | 9:31

    Në Bruksel po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj tre serbëve të cilët gjykata e krimeve të rënda në kryeqytetin belg para 9 vitesh i ka dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e veprimtarit Enver Hadri. Veprimtari Xhafer Shatri, nëpërmjet një shkrimi në facebook ka bërë me dije se dy ditë më parë ka qenë dëshmitar në këtë proces.

    Ai nuk ka dhënë shumë hollësi rreth dëshmisë së tij, por ka theksuar se në këtë “dosje ka aq shumë argumente, sa që mjafton vetëm t’i renditësh”.

    “Dy ditë më parë, në cilësinë e dëshmitarit të prokurorisë, dëshmova para Trupit Gjykues. Të hysh në një sallë të madhe, para një Gjykate të shumë respektuar e me juri dhe ta shohësh aty familjen e Enver Hadrit të raskapitur por krenare në përpjekjet e saj 35 vjeçare për ta vënë drejtësinë në vend, është një përjetim më shumë se i vështirë. Por edhe një rast me shumë përparësi. Sepse në këtë dosje ka aq shumë argumente, sa që mjafton vetëm t’i rënditësh. Dhe ky është një përjashtim i rrallë, sepse askush si Serbia nuk di t’i fshehë gjurmët e krimeve të saj të shumta e të përgjakshme. Edhe po të jesh japonez apo jugafrikan që ndoshta s’e di mirë as kah i bie Beogradi, mjafton ta lexosh librin e Edith Durham «Krimi në Sarajevë» për ta kuptuar se sa e zhdërvjelltë është Serbia në gjuajtjen e gurit e në fshehjen e dorës”, shkruan ndër të tjera ai.

    Tre ditë më parë në Gjykatën e Apelit në Bruksel ka dëshmuar edhe Xhavit Haliti i cili ka shkruar se beson që të dyshuarit Bozhidar Spasiq, Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq do të ridënohen me burgim të përjetshëm./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!