×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Trupi i Janullatosit niset për në Shqipëri, varrimi bëhet të enjten

    Reporteri
    27 Janar 2025 | 10:22

    Të hënën trupi i kryepeshkopit Anastas Janullatosit do të transferohet drejt Shqipërisë për të lejuar besimtarët vendas t`i japin lamtumirën hierarkut ortodoks.

    Arkëmorti i tij pritet të kalojë nëpër fshatrat greqishtfolëse të vendit përmes pikës kufitare të Kakavijës, ndërsa ditën e martë janë parashikuar të mbahen nderimet për klerikun e lartë në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”.

    Kreu i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë ka qëndruar në Katedralen e Athinës prej ditës së shtunë (25 janar), kur 95-vjeçari ndërroi jetë pas një beteje disajavore me sëmundje të brendshme.

    Mijëra besimtarë morën pjesë në shërbesën e përshpirtjes për kryepeshkopin e ndjerë gjatë këtyre orëve. Kryepeshkopi i Athinës kryesoi ceremonialin e vendosjes së një qiriri në nder të kryepriftit, i cili la gjurmë të pashlyeshme në konsolidimin e ortodoksisë në Shqipëri.

    Lamtumirën ia dhanë edhe udhëheqës politikë dhe shtetërorë të Greqisë, mes tyre presidentja Katerina Sakellaropouloi, kryeministri Kyriakos Mitsotakis dhe kryetari i sapozgjedhur i parlamentit.

    Mes atyre që nderuan ishin edhe eurodeputeti Fredi Beleri dhe atleti olimpik i peshëngritjes, Pirro Dhima, i cili deklaroi se do të vijë edhe në Shqipëri për varrimin e kryepeshkopit.

    Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka shpallur 5 ditë zie deri më 29 janar.

    Imzot Joani, mitropoliti aktual i Korçës, është caktuar si mbikëqyrës i fronit të Kryepeshkopit.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!