Në një nga sallat e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e mbushur me zyrtarë policorë, ka nisur seanca gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt.
Të akuzuarit, ish-bashkëshorti Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava janë sjellë në gjykatë nën masa të rrepta sigurie.
Të akuzuarit do të japin deklaratat e tyre para gjykatës. Murseli, Kokalla dhe Plava, ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2023, ndërsa Dodaj, i cili dyshohet se ka shitur armën dorasit, është vendosur të lirohet pasi Gjykata Supreme ndërpreu masën e paraburgimit ndaj tij.
Të mërkurën e 15 janarit, Prokuroria Themelore e Prishtinës ngriti aktakuzë lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq, përmendi si një nga motivet për këtë vrasje marrëdhëniet jo të mira në çift mes Liridonës dhe ish-bashkëshortit të saj, Naim Murselit, gjatë kohës që jetonin në Suedi, që tha se kanë shkuar deri tek problemet pasurore, shkruan Reporteri.net.
Ndërkaq, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi tha se presin nga gjykata dënim kapital ndaj të akuzuarve në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
“Sa i përket cilësimit të kësaj vepre penale është cilësuar si “Vrasje penale e vrasjes së rëndë e kryer nga anëtari i familjes dhe e kryer në mënyrë dinake dhe si e tillë presim nga gjykata një dënim kapital. Kemi arritur në mënyrë profesionale të sigurojmë të gjitha provat dhe presim epilogun në gjykatë”, tha Gashi.
Liridona Ademaj u vra mbrëmjen e 29 nëntorit 2023, në hyrje të fshatit Bërrnicë të Prishtinës, teksa po kthehej në shtëpinë e saj me bashkëshortin dhe dy fëmijët. Ajo u qëllua me plumb në qafë.
/Reporteri.net/