Tre persona mbetën të vdekur mbrëmë nga aksidenti në magjistralen Mitrovicë-Pejë, ku një nga veturat e përfshira ishte e Policisë së Kosovës.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni për Gazetën Online Reporteri.net. ka bërë të ditur se drejtuesi i veturës zyrtare është ndaluar për 48 orë për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik- me fatalitet”.
“Në aksident kanë qenë të përfshira dy (2) vetura, një (1) veturë zyrtare e policisë dhe një (1) veturë civile. Si pasojë e aksidentit, tre (3) persona që kanë qenë në veturë civile kanë ndërruar jetë, dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupat e tyre janë dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Për këtë rast, është ndaluar një (1) person me vendim të prokurorit për dyzetetetë (48) orë, për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik – me fatalitet”, tha Preteni për Reporteri.net.
Ndërsa sot gjatë ditës, Inspektorati i Policisë së Kosovës përmes një komunikate të lëshuar për media, deklaroi se hetimet fillestare të tyre nxjerrin fajtore veturën e Policisë së Kosovës të përfshirë në këtë aksident.
Në njoftim u tha se aksidenti ka ndodhur si rezultat i mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë i cili ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile.
“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se aksidenti ka ndodhur si rezultat i mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë i cili ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile”, thuhet mes tjerash në komunikatën e IPK-së.
IPK ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor i cili ka qenë drejtues i automjetit zyrtar të policisë në momentin e aksidentit përderisa lidhur me aksidentin janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me prokurorin kompetent.
Poashtu, edhe zyrtarët policorë që ndodheshin në veturën zyrtare, kanë pësuar lëndime dhe të njëjtit kanë pranuar tretëman mjekësor.
/Reporteri.net/